Nuredin Dumani, i penduari i drejtësisë, është shtruar sot me urgjencë në QSUT, pasi ka shfaqur probleme serioze me zemrën.
Burime pranë spitalit bëjnë me dije se gjendja e tij shëndetësore kërkoi ndërhyrje të menjëhershme, ndërsa autoritetet kanë marrë masa të rrepta sigurie gjatë transportit dhe qëndrimit të tij në spital.
Në lidhje me këtë situatë, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) po ndjek nga afër zhvillimet, duke mbajtur kontakte të vazhdueshme me institucionet shëndetësore për të monitoruar gjendjen e Dumani.
Nuredin Dumani është një nga bashkëpunëtorët më të rëndësishëm të drejtësisë në vitet e fundit, i përfshirë në hetime të shumta mbi grupe kriminale të strukturuara dhe ngjarje të rënda kriminale në vend.
Dëshmitë e tij kanë ndihmuar SPAK në çmontimin e disa prej organizatave më të fuqishme kriminale.