Situata te Liverpooli po bëhet gjithnjë e më e tensionuar dhe e ardhmja e Arne Slot duket më e pasigurt se kurrë. Pavarësisht investimeve të mëdha dhe kualifikimit në çerekfinalet e Champions League, paraqitjet e dobëta në Premier League kanë shtuar presionin mbi trajnerin holandez. Në “Anfield” besohet se ditë të vështira e presin Slotin, ndërsa drejtuesit po mendojnë seriozisht për hapat e radhës.
Sipas asaj që raportohet, një nga pasojat e para të kësaj situate është rikthimi në skenë i emrit të Xabi Alonsos. Ish-mesfushori i Liverpoolit shihet si kandidati ideal për të marrë drejtimin e skuadrës, ndërsa drejtuesit anglezë po shqyrtojnë mundësinë për ta bindur që të rikthehet në stol. Pauza pa ndeshje për klubet shihet si një moment i favorshëm për të marrë vendime të mëdha, sidomos kur sezoni po hyn në fazën vendimtare.
Deklaratat e fundit të Arne Slot nuk kanë ndihmuar aspak në qetësimin e situatës. Analiza e tij mbi sezonin dhe mënyrën si janë zhvilluar gjërat nuk është pritur mirë as nga tifozët dhe as nga klubi. Në Angli, raste të ngjashme kanë sjellë largime trajnerësh edhe gjatë këtij sezoni, ndaj edhe emri i Slot po lidhet gjithnjë e më shumë me një shkarkim të mundshëm të menjëhershëm.
Megjithatë, pengesa kryesore mbetet vetë Xabi Alonso. Ai nuk njihet si trajner që pranon të marrë në dorë një projekt në mes të rrugës, çka mund ta komplikojë planin e Liverpoolit. Gjithsesi, në “Anfield” nuk duan një zgjidhje të përkohshme, por një emër të madh që të marrë menjëherë kontrollin e një skuadre të ndërtuar për të fituar gjithçka.
Liverpooli ka përpara 11 ditë pa ndeshje, kohë që mund të shfrytëzohet për një vendim të madh. Ndeshja e radhës do të jetë ndaj Manchester Cityt më 4 prill në FA Cup, ndërsa tensioni rreth pankinës së Liverpoolit vazhdon të rritet. Për Slotin, këto mund të jenë ditët më delikate që nga momenti kur mori drejtimin e klubit.











