Xabi Alonso vazhdon të mbetet një nga emrat më të komentuar në futbollin europian, edhe pse nuk është më pjesë e Real Madrid. Sipas raportimeve dhe analizave që qarkullojnë në Evropë, gjithnjë e më shumë po fiton terren ideja se problemet e skuadrës madrilene këtë sezon kanë qenë shumë më të thella sesa vetëm roli i trajnerit.
Pas largimit të tij nga pankina, Real Madrid ka vazhduar të zhgënjejë, duke humbur terren në kampionat, duke dalë nga Kupa dhe duke u vendosur përballë një situate shumë të vështirë edhe në Champions League. Kjo ka bërë që kritikat e dikurshme ndaj Xabi Alonso për përgatitjen fizike, qasjen mbrojtëse ndaj Barcelonës, metodologjinë moderne dhe menaxhimin e yjeve, veçanërisht Vinicius, të duken sot më pak bindëse.
Që prej largimit nga klubi, Xabi Alonso nuk ka bërë dalje publike. Ai ka shfrytëzuar kohën për t’u shkëputur nga futbolli dhe për të kaluar pushime me familjen, por emri i tij vazhdon të jetë shumë i kërkuar nga klube të mëdha të Evropës.
Nëse Real Madrid e mbyll sezonin pa trofe, atëherë do të forcohet edhe më shumë bindja se kriza e skuadrës nuk kishte lidhje vetëm me trajnerin, por me një problematikë më të gjerë brenda projektit sportiv. Kjo ide, sipas raportimeve, po qarkullon edhe në departamentet teknike të klubeve më të mëdha që marrin pjesë në Champions League.
Klubi që shihet më i interesuar për Xabi Alonso është Liverpool. Në Angli po flitet gjithnjë e më shumë për një ndryshim të mundshëm në pankinë, ndërsa emri i trajnerit spanjoll po promovohet fuqishëm si një alternativë serioze për të ardhmen në “Anfield”.
Situata te Liverpool pritet të pësojë ndryshime të mëdha, ndërsa largimi i Mohamed Salah konsiderohet vetëm një nga sinjalet e para të një vere me vendime të rëndësishme. Në këtë panoramë, Xabi Alonso shihet si një figurë ideale për të nisur një cikël të ri.
Interes për të ka pasur edhe nga klube të tjera të mëdha, përfshirë Manchester City, por aty emri i preferuar për të ardhmen mbetet Maresca. Edhe në Gjermani, debati është zbehur për shkak të paraqitjeve të mira të Kompany.
Për momentin, gjithçka të çon te ideja se destinacioni më i mundshëm për Xabi Alonso është Liverpool, aty ku mund të ketë mundësinë të ndërtojë një projekt afatgjatë dhe më të qëndrueshëm.










