Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës, në bashkëpunim me Wizz Air, ka shpallur zgjerimin më të madh të operimeve në Shqipëri, njoftim që vjen me shtimin e një avioni Airbus A321neo dhe katër linjave të reja nga Tirana drejt Stokholmit, Këlnit, Billundit dhe ishujve Tenerife. Piotr Trawka, Zyrtar Komercial për Evropën Perëndimore dhe Jugore, theksoi se ky është një hap i rëndësishëm për Wizz Air në Shqipëri, që pasqyron përkushtimin e kompanisë për të ofruar mundësi udhëtimi të përballueshme dhe destinacione emocionuese për pasagjerët shqiptarë.
Me këtë zgjerim, Wizz Air forcon lidhjet e Shqipërisë me tregje dinamike në Europë, si Danimarka, Gjermania, Spanja dhe Suedia. Biletat për linjat e reja janë tashmë në shitje në wizzair.com, me çmime që fillojnë nga 2,490 lekë. Shtimi i avionit të 14-të është konsideruar si një nevojë për të përmbushur kërkesën në rritje në tregun lokal dhe internacional, duke konsoliduar tregje, sidomos ato të Gjermanisë dhe Spanjës.
Piervittorio Farabbi, COO i Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës, theksoi se ky ritëm rritjeje tregon angazhimin e aeroportit në investimin në infrastrukturë dhe përmirësimin e përvojës së pasagjerëve, duke sjellë efikasitet të lartë operacional. Me këtë zhvillim, Wizz Air do të ofrojë gjithsej 57 destinacione në 17 vende, duke shtuar 500 mijë ulëse të reja në vit dhe për të hapur mbi 350 vende të reja pune në sektorin e aviacionit.
Për më tepër, do të rritet frekuenca e fluturimeve për destinacionet ekzistuese, si Milano, Bruksel, Torino dhe Berlin. Wizz Air gjithashtu ofron një zbritje 15% për fluturimet e përzgjedhura të rezervuara më 9 Shtator, për fluturime mes 17 Shtatorit dhe 17 Dhjetorit 2025, për anëtarët e Wizz Discount Club. Zgjerimi i operacioneve dhe oferta të reja janë një ftesë për shqiptarët për të planifikuar udhëtimet e tyre të ardhshme.