Dy gra dhe një burrë 30-vjeçar, për të cilin autoritetet greke kanë lëshuar tashmë urdhër arresti, ndodhen në qendër të hetimeve lidhur me çështjen e rëndë kriminale të vrasjes në Finikounta të pronarit të një kampingu dhe punëtorit shqiptar.
Autoritetet po shqyrtojnë të gjitha pistat dhe po përpiqen të lidhin dy gratë dhe 30-vjeçarin me nipin e pronarit 68-vjeçar të kampingut, me qëllim plotësimin e tablosë së ngjarjeve që çuan në vrasjen e dyfishtë.
Siç bëri të ditur televizioni grek MEGA mbrëmjen e së shtunës, hetuesja e çështjes po shqyrton edhe dy persona të rinj për të përcaktuar nëse kanë pasur dijeni apo kanë ndihmuar në organizimin e krimit. Sipas burimeve, priten urdhra të rinj arresti në ditët në vijim.
Kujtohet se përveç nipit të viktimës dhe biznesmenit nga Athina që janë arrestuar, ekziston edhe një urdhër arresti për një 30-vjeçar tjetër, ortak i biznesmenit, i cili dyshohet se ka pasur rolin e bashkëpunëtorit.
Sipas hetimeve, i kërkuari dyshohet se u ka dhënë udhëzime dy autorëve 22-vjeçarë para dhe pas vrasjes, përmes numrave telefonikë pakistanezë.
Gjithashtu po hetohet përfshirja e tij në transportin e tyre, pasi skuteri i bardhë i përdorur në krim dyshohet se është marrë në një rrugë pranë banesës së tij.
30-vjeçari, djali i një biznesmeni të njohur, besohet se ndodhet jashtë vendit, me shumë gjasa në Gjermani, dhe pritet të lëshohet edhe një urdhër arresti ndërkombëtar.
Ndërkohë, për ekzistencën e një “plani djallëzor” të përgatitur që në gusht të vitit 2024 flet mbesa e pronarit 68-vjeçar të kampingut, i cili u vra më 5 tetor në Finikounta.
Deklarata vjen pas arrestimit të nipit 33-vjeçar të viktimës dhe një biznesmeni 31-vjeçar, mik i tij dhe punëdhënës i dy autorëve 22-vjeçarë.
Amalia Tomara, duke folur për televizionin Alpha, deklaroi se kushëriri i saj shfaqte sjellje arrogante pas vrasjes së dyfishtë, gjë që i ngjalli dyshime serioze për përfshirjen e tij në krim. Ajo theksoi se plani nuk ishte hartuar muajt e fundit, por që nga momenti kur ishte nënshkruar një dokument për pronën, në gusht të vitit 2024.
Sipas saj, 33-vjeçari, i cili pritet të japë dëshminë të hënën, sillej sikur “kishte pushtuar botën”, ndërsa një episod i caktuar e bindi se ai ishte i përfshirë në ngjarje.
Ajo shtoi gjithashtu se xhaxhai i saj i kishte kërkuar dy herë biznesmenit të largohej prej tij, duke ngritur pikëpyetje për marrëdhënien e afërt mes tyre.
Në lidhje me nënën e 33-vjeçarit, mbesa e viktimës deklaroi se kjo e fundit u kishte ndaluar hyrjen në kamping prej vitesh dhe u kërkonte që çështja të mos bëhej publike.
Sipas saj, nëna e të dyshuarit ka tentuar gjithashtu të implikojë djalin e saj për ta përjashtuar familjen nga trashëgimia dhe për të izoluar viktimën.









