Personi që shihni në foto është Petrit Ndou, 57-vjeçari që u vra pak pas mesnatës me çekiç në kokë, pas një konflikti të dhunshëm në aksin rrugor Thumanë-Krujë.

Ngjarja e rëndë u regjistruar rreth orës 00:40, kur një përplasje mes dy drejtuesve të automjeteve, ka degjeneruar deri në sherr fizik.
Sipas të dhënave paraprake mësohet se konflikti mes 57-vjeçarit dhe të riut, Andi Vokri ka filluar për motive banale se kush do të kalonte i pari në rrugë, konflikt i cili më pas përshkallëzoi shpejt në dhunë, ku Ndou u godit më pas për vdekje me një çekiç nga 28-vjeçari. Fatkeqësisht si pasojë e goditjes ai humbi jetën në vendin e ngjarjes.
Menjëherë pas ngjarjes, shërbimet e Policisë mbërritën në vendin e incidentit dhe ndërhynë për zbardhjen e rrethanave. Si autor i dyshuar i krimit është identifikuar dhe arrestuar në flagrancë Andi Vokri, 28 vjeç, banues në Thumanë, Mamurras.
Në vijim të veprimeve proceduriale, policia ka shoqëruar dhe ka marrë në pyetje disa persona të cilët dyshohet se kanë pasur dijeni për ngjarjen ose kanë qenë të pranishëm gjatë konfliktit. Mes tyre është nëna e 28-vjeçarit, Dhurata Ndreka, si dhe Gentjana Vokri, bashkëshortja e tij.
Gjithashtu, dëshmi ka dhënë edhe Kleo Ndou, si dhe tre persona të tjerë të cilët njihnin 57-vjeçarin. E teksa autoritetet po punojnë për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje të rëndë, familjarët e 57-vjeçarit kanë hapur dyert e mortit.
Vëllai i viktimës, përmes një postimi në rrjetet sociale ka lajmëruar se 57-vjeçarit do t’i jepet lamtumira e fundit ditën e nesërme.
“Me hidherim te thell ju njoftoj per ndarjen nga jeta te vllajt ton Petrit Lulash Ndou Varrimi behet diten e merkure ne oren 13:00. Pritja dhe percjellja behet te restorant Luma Rruga Demokracia Bathore”, shkruan ai.










