Trent Alexander-Arnold është lënë në stol për derbin, në një vendim që ka bërë bujë të madhe. Mbrojtësi anglez, i cili deri tani kishte qenë një zgjedhje e rregullt në ndeshjet më të rëndësishme, nuk do ta nisë këtë sfidë nga minuta e parë. Arsyeja lidhet me një vonesë në stërvitje gjatë kësaj jave, për të cilën lojtari kërkoi falje, por Arbeloa vendosi gjithsesi ta ndëshkojë duke e lënë jashtë formacionit titullar. Trent e ka kuptuar vendimin dhe e ka pranuar atë, ndërsa në vendin e tij do të luajë Carvajal.
Ky është një tjetër goditje për anglezin, vetëm dy ditë pasi mbeti jashtë listës së kombëtares së Anglisë. Edhe pse mungesa e Reece James për shkak dëmtimi dukej se i hapte më shumë rrugë, Trent sërish nuk u përfshi. Përzgjedhësi anglez e cilësoi vendimin si të vështirë, duke pranuar talentin dhe cilësitë e mbrojtësit, por duke theksuar se kishte zgjedhur opsione të tjera. Gjithsesi, ai la të kuptohet se gara për një vend në Botëror mbetet ende e hapur.
Në derbin e sotëm, besimi i është dhënë Carvajalit. Arbeloa e vlerësoi lart kapitenin në konferencën për shtyp, duke theksuar se ndikimi i tij shkon shumë përtej fushës së lojës. Sipas tij, prania, mesazhet dhe lidershipi i Carvajalit ndihmojnë shumë skuadrën, sidomos në ndeshje të tilla me peshë të madhe. Edhe pse këtë sezon ka luajtur vetëm 704 minuta dhe ka qenë titullar në gjashtë ndeshje, eksperienca e tij është parë si vendimtare për këtë sfidë.
Sa i përket Trentit, vendimi shihet si një masë disiplinore e përkohshme dhe jo si ndryshim i rolit të tij në skuadër. Ndjesia brenda klubit është se ai mbetet mbrojtësi i djathtë titullar dhe se do të vazhdojë të jetë pjesë e rëndësishme e ekipit në ndeshjet që vijnë. Për momentin, ai mbetet në stol, në pritje të minutave të mundshme gjatë derbit dhe duke shpresuar të reagojë në mënyrën më të mirë në vazhdimin e sezonit.











