Mesfushori hungarez i Liverpoolit, Dominik Szoboszlai, ka tërhequr vëmendjen e Real Madridit, ndërsa klubi spanjoll po përdor edhe një “strategji” interesante për ta afruar në “Bernabéu”.
Në një intervistë për kanalin në YouTube të Ibai Llanos, sulmuesi i Real Madridit dhe Brazilit, Vinícius Junior, pranoi se kohët e fundit ka folur shpesh në telefon me Szoboszlai-n, që kur nisën të qarkullojnë zërat për një transferim të mundshëm të tij te Reali.
“Flas shumë me Szoboszlai-n. Jemi njohur kur ishim më të rinj. Lucas Paquetá është shoku im më i mirë në futboll,” tha Vinícius.
Braziliani shtoi se ka një rreth të gjerë miqsh në futboll: përmendi Raphinha-n te Barcelona, Savinho-n dhe Reinier-in në Brazil (që ka luajtur edhe në Madrid), duke theksuar se brazilianët zakonisht rrinë bashkë edhe jashtë fushe. Ndër lojtarët e klubeve të tjera, ai veçoi si mik shumë të afërt edhe Reece James, ndërsa tha se ka miqësi edhe jashtë futbollit me Rafael Leão.
Mediat kujtojnë se edhe përpara transferimit të Kylian Mbappé nga PSG te Real Madridi, ishte raportuar se Vinícius komunikonte shpesh me francezin dhe përpiqej ta bindte të vishte fanellën e “Galaktikëve” — një lëvizje që më pas u realizua.










