Vinicius Junior dhe Rodri do të përballen sërish në një duel me peshë të madhe europiane, teksa Real Madridi dhe Manchester City luftojnë për një vend në çerekfinalet e Ligës së Kampionëve. Dy futbollistët kanë parë rrugët e tyre të kryqëzohen shpesh në muajt e fundit, jo vetëm për shkak të përballjeve në fushë, por edhe për shkak të polemikave, garës për Topin e Artë dhe diskutimeve rreth të ardhmes.
Për Viniciusin, humbja e Topit të Artë të vitit 2024 ishte një goditje e fortë, nga e cila braziliani e pati të vështirë të rikuperohej menjëherë. Megjithatë, sulmuesi i Real Madridit ka nisur të japë sërish shenja të versionit të tij më të mirë. Në sfidën e parë ndaj Manchester Cityt ai nuk ishte në nivelin më të lartë dhe humbi edhe një penallti, por emri i tij vazhdon të mbetet në qendër të vëmendjes sa herë që përballet me anglezët.
Në “Etihad”, Vinicius mban ende mend një episod të bujshëm nga sezoni i kaluar, kur tifozët vendas shfaqën një banderolë tallëse me foton e Rodrit me Topin e Artë dhe mesazhin “stop crying your heart out”. Gjithsesi, braziliani iu përgjigj në mënyrën më të mirë të mundshme, duke dhënë dy asistime në fitoren 3-2 të Real Madridit, një sukses historik për madrilenët në atë stadium.
Nga ana tjetër, Rodri nuk ishte pjesë e atij dy takimesh për shkak të një dëmtimi serioz në ligamentet e gjurit. Fitimi i Topit të Artë e vendosi spanjollin në qendër të diskutimeve edhe në Madrid, ku shumë tifozë të Realit mbështesnin kandidaturën e Viniciusit. Festimet e tij pas marrjes së çmimit, sidomos referencat ndaj numrit 7, u interpretuan në mënyra të ndryshme dhe shtuan edhe më shumë zhurmën rreth figurës së tij.
Sipas raportimeve, Rodri do të dëshironte një rikthim në Spanjë dhe ëndrra e tij mbetet që një ditë të veshë fanellën e Real Madridit. Megjithatë, klubi madrilen nuk e konsideron aktualisht si një objektiv prioritar në merkato, mes të tjerash edhe për shkak të moshës dhe rikuperimit nga dëmtimi i rëndë. Kontrata e tij skadon në vitin 2027 dhe vera e ardhshme mund të jetë vendimtare për zgjedhjet që do të bëjë për të ardhmen.
Vetë mesfushori ka preferuar të mos flasë shumë për këtë temë, duke theksuar se fokusi i tij mbetet te sezoni aktual dhe te objektivat me skuadrën. Në këtë mënyrë, përpara përballjes së radhës mes Manchester Cityt dhe Real Madridit, Vinicius dhe Rodri vazhdojnë të mbeten dy histori të lidhura ngushtë me rivalitetin, presionin dhe ambiciet më të mëdha të futbollit europian.











