Si pasojë e një defekti të rëndë teknik në linjën kryesore të transmetimit, furnizimi me ujë të pijshëm në qytetin e Vlorës është ndërprerë që prej tre ditësh për qytetarët.
Kjo gjë ka bërë që vlonjatët me bidona në duar t’i drejtohen burimeve të ujit të pijshëm të qytetit.
Ata ngrenë alarmin se mund të shpërthejë ndonjë epidemi, pasi dhjetëra shtëpi nuk kanë as ujë të pijshëm as rezerva në depozitat e tyre, duke mos arritur të kryejnë nevojat jetike.
“Rast shumë emergjent dhe shqetësues. Vlora ka 3 ditë pa ujë. U qelbëm, jemi në prag epidemie, është bërë m*ti mullar. Nuk e dimë cfarë problem ka, po dh**sin njerëzit poshtë pallateve”, është shprehur një banor për News 24.
Ndërkohë deri në normalizimin e kësaj situate spitali po furnizohet me autobotët e zjarrfikësve.
Strukturat përgjegjëse janë angazhuar për riparimin e avarisë dhe rikthimin sa më të shpejtë të shërbimit për qytetarët.









