Një video tronditëse tregon momentin dramatik kur një drejtues automjeti përplas dy çiklistë në një rrugë të mbushur me njerëz në Harlem, duke shkaktuar vdekjen e njërit dhe plagosjen e katër personave të tjerë.
Sipas pamjeve dhe dëshmive të qytetarëve, një 49-vjeçar përplasi fillimisht dy çiklistë, ndërsa këmbësorët përreth u përpoqën të largoheshin të tmerruar për të shpëtuar. Një dëshmitar okular deklaroi se pa dy burra të shtrirë në tokë, pasi ishin tërhequr zvarrë nga automjeti.
Raportohet se shoferi nuk bëri asnjë përpjekje për të ndaluar dhe vazhdoi me shpejtësi, duke shtuar panikun në zonë. Më pas automjeti u përplas me një makinë policie të parkuar dhe me një kamion, çka bëri të mundur ndalimin e tij.
Dëshmitarë të tjerë thanë se drejtuesi dukej sikur ishte nën ndikimin e alkoolit ose në gjendje të rënduar, duke theksuar se shpejtësia e lartë ishte e pazakontë për zonën.
Dy çiklistët, të moshës 33 dhe 28 vjeç, u dërguan në spital në gjendje kritike. Fatkeqësisht, 28-vjeçari nuk arriti t’u mbijetojë plagëve, ndërsa shoferi u arrestua pa pësuar lëndime.
Autoritetet kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe deri më tani nuk kanë bërë publike akuzat zyrtare ndaj drejtuesit të mjetit.











