Hapësirat publike nuk lirohen vetëm në Shqipëri. Kryeqyteti i Shteteve të Bashkuara ka hyrë zyrtarisht në epokën “Rilindje Amerikane”. Kampet e të pastrehëve nëpër parqe dhe trotuare janë rrafshuar me buldozerë, ndërsa banorët janë “shoqëruar” drejt destinacioneve të panjohura.
Operacioni është pjesë e një nisme më të gjerë të administratës Trump për të “rikthyer rendin dhe sigurinë publike” në qytet. Presidenti Donald Trump ka marrë kontrollin e plotë të Departamentit të Policisë së Uashingtonit, duke emëruar një drejtues të përkohshëm federal dhe duke vendosur nën komandë federale mbi 800 trupa të Gardës Kombëtare.
Sipas zëdhënësve të administratës, kampet e të pastrehëve përbënin një “kërcënim për shëndetin publik dhe rendin qytetar”, ndërsa zyrtarë të tjerë kanë deklaruar se për individët e larguar janë ofruar mundësi alternative strehimi, edhe pse grupet e të drejtave të njeriut e kanë kontestuar këtë pretendim.
Operacioni ka ngjallur reagime të shumta, veçanërisht nga autoritetet vendore në Uashington, përfshirë kryebashkiaken Muriel Bowser dhe Prokurorin e Përgjithshëm të qytetit, të cilët e kanë cilësuar ndërhyrjen si të paligjshme dhe në shkelje të autonomisë së qytetit.
Pavarësisht polemikave, prania e forcave federale dhe Gardës Kombëtare është rritur dukshëm në zonat qendrore të qytetit, përfshirë Georgetown, Capitol Hill, dhe pranë monumenteve kryesore. Qytetarë dhe aktivistë kanë protestuar ndaj masave të marra, duke i cilësuar si represive dhe joproporcionale, veçanërisht ndaj njerëzve në nevojë.
Departamenti i Drejtësisë dhe Shtëpia e Bardhë kanë theksuar se këto masa janë të përkohshme dhe synojnë “garantimin e sigurisë për të gjithë qytetarët amerikanë”.
/vizionplus.tv