Qarku Lezhë po përballet me shtimin e problemeve të shkaktuara nga reshjet e ulta deri në mesatare, që kanë ndikuar në tre bashkitë e tij. Në kurbin, punët për përforcimin e argjinaturës dhe rregullimin e lumit Drojë kanë vijuar me angazhimin e tre eskavatorëve, përfshirë një nga Forcat Armate. Po ashtu, bashkia po punon me tri kamionë dhe një fadromë për situatën në fshatin Shpërdhet. Grupi i vlerësimit po heton dëmet, ndërsa OSHEE është angazhuar në riparimin e linjës elektrike në Skuraj. Në Lezhë, uji ka ndikuar në tokat bujqësore dhe disa oborre, por shpërndarja e ndihmave nuk ka filluar për shkak të mungesës së mjeteve.
Situata në Mirditë është gjithashtu problematike, veçanërisht në aksin Rrëshen–Bukmirë, ku rruga vazhdon të ketë ulje të bazamentit përkundër përpjekjeve për ndërhyrje. Në Zall të Zmejës, ka devijim të rrjedhës së ujit që rrezikon unazën lidhëse dhe disa banesa. Bashkia Mirditë ka kërkuar mbështetje për një eskavator dhe kamion për punime në Zmejë dhe Bukmirë. Monitorohen dy banesa që janë në rrezik nga rrëshqitjet e dheut, dhe ndërhyrjet po kryhen sipas situatës emergjente.
Deri më tani, H/C Qafë Molla mund të bëjë shkarkime deri në 100 m³/s, njësoj si H/C Shkopeti, pa rrezik pasi shtrati i Matit është i gjerë. Furnizimi me ujë është normal, por është pasur ndërprerje të herëpashershme të energjisë, e cila është rikthyer. Të gjitha hidrovoret funksionojnë me kapacitet të plotë, dhe nivelet e lumenjve Drin dhe Mat janë brenda kuotave normale. Grupi i punës vazhdon evidentimin e dëmeve ndërsa situata po monitorohet me kujdes.











