Manuel Neuer po e mendon me qetësi të ardhmen e tij dhe nuk ka ndërmend të nxitojë për një vendim. Portieri legjendar i Bayern Munich, 39 vjeç, ka folur së fundmi në një intervistë për mundësinë e rinovimit të kontratës me klubin bavarez, duke theksuar se ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar.
Neuer shprehet se është i prirur pozitivisht për të vazhduar, por dëshiron të shohë fillimisht si do të shkojnë muajt në vijim:
“Jam i prirur pozitivisht. Por për momentin dua të pres dhe të shoh si do të shkojnë disa muajt e ardhshëm. Dua të përpiqem të jap paraqitje të forta. Pastaj, në fund të marsit ose në prill, do të merret një vendim. Deri atëherë do ta di sa ndeshje kam luajtur dhe si ndihet trupi im. Po ashtu do të mbush 40 vjeç, ndaj duhet të shoh nëse mund ta vazhdoj karrierën me bindje të plotë. Komunikimi me klubin po shkon shumë mirë — do të shohim nëse do të vazhdojë kështu apo jo”, deklaroi Neuer.
Neuer iu bashkua Bayern-it në vitin 2011, kur u transferua nga Schalke për 30 milionë euro. Që atëherë, ai ka zhvilluar 581 paraqitje me bavarezët, ka pësuar 480 gola dhe ka regjistruar 271 ndeshje pa pësuar gol.
Kontrata aktuale e Neuer me Bayern-in është e vlefshme deri në verën e vitit 2026, por bisedimet për rinovimin, për momentin, janë pezull.











