Pak ditë pas aksidentit tragjik që i mori jetën futbollistit të Liverpool-it, Diogo Jota, janë zbuluar detaje të reja mbi ngjarjen që ka tronditur botën e sportit dhe miliona tifozë në mbarë globin.
Të dy po udhëtonin me një automjet luksoz të markës Lamborghini, të marrë me qira, me destinacion qytetin Santander, nga ku kishin planifikuar të niseshin drejt Anglisë me traget.
Kjo zgjedhje u bë për arsye mjekësore, pasi Diogo Jota kishte kryer së fundmi një ndërhyrje në mushkëri dhe mjekët i kishin rekomanduar që të shmangte fluturimet ajrore.
Aksidenti ndodhi në autostradën e Zamorës, në anën spanjolle të kufirit, ku makina, duke lëvizur me shpejtësi të lartë, doli nga rruga dhe shpërtheu në flakë.
Sipas raportimeve të para të autoriteteve, automjeti kishte kapur një shpejtësi mbi 120 kilometra në orë në momentin që po kryente një manovër parakalimi.
Hetuesit besojnë se një çarje në gomën e pasme, në kombinim me sipërfaqen e pabarabartë të rrugës, ka çuar në humbjen e kontrollit të mjetit, përplasjen me barrierat anësore dhe shpërthimin fatal të makinës.
Autostrada ku ndodhi ngjarja është përmendur shpesh në të kaluarën për problemet serioze të infrastrukturës dhe mungesës së mirëmbajtjes.
Vetëm dhjetë ditë më parë, një tjetër aksident i rëndë ndodhi në të njëjtin segment, ku një grua mbeti rëndë e plagosur.
Banorë lokalë dhe drejtues mjetesh kanë ngritur vazhdimisht shqetësime për gjendjen e rrugës, por pa ndonjë ndërhyrje të dukshme nga autoritetet përkatëse.
Reagimet nuk kanë munguar nga komuniteti sportiv. Klubi i Liverpool-it ka shpallur zi zyrtare dhe ka njoftuar se, për nder të Diogo Jotës, do të tërheqë nga përdorimi fanellën me numrin 20, të cilën ai e mbante që prej bashkimit me klubin.
Ky vendim, edhe pse i pazakontë për futbollin anglez ku rrallë herë numrat tërhiqen, u mor pas kërkesave të shumta nga tifozët të prekur thellë nga lajmi.
Ndërkohë, personalitete nga bota e futbollit, përfaqësues klubesh, ish-shokë skuadre, trajnerë dhe figura të njohura të sportit në nivel ndërkombëtar kanë shprehur ngushëllimet e tyre për humbjen e Jotës dhe vëllait të tij.
Federatat e futbollit të Portugalisë dhe Anglisë kanë mbajtur një minutë heshtje në ndeshjet e zhvilluara pas ngjarjes.