Temperaturat e larta kanë ndikim negativ tek personat që vuajnë nga probleme të shëndetit mendor. Sipas mjekes psikiatre Irena Thoma, i nxehti ndikon drejtpërdrejt në irritimin dhe destabilizimin emocional të këtyre personave.
“I nxehti shton ndjesinë e zemërimit, rrit prirjen për konflikte dhe ndikon në aktivitetin e neuroneve. Ka një lidhje të qartë mes valëve të të nxehtit dhe përkeqësimit të simptomave psikotike,” shpjegon ajo.
Më të prekurit nga këto çrregullime janë të rinjtë, sidomos ata që përdorin substanca narkotike. Festat e shumta gjatë verës, sidomos në plazhe, të shoqëruara me konsum të lartë të drogës, kanë sjellë një rritje të rasteve me çrregullime psikotike tek të rinjtë.
“Nëse ekziston një predispozitë gjenetike dhe kjo shoqërohet me përdorim të substancave narkotike, rreziku për zhvillimin e sëmundjeve mendore rritet ndjeshëm. Prandaj është thelbësore që të rinjtë të jenë të kujdesshëm me përdorimin e drogës,” – thekson psikiatrja.
Për familjarët që kanë pranë një person me probleme të shëndetit mendor, mjekja këshillon të rishikojnë me kujdes terapinë mjekësore dhe të marrin masa për t’i mbajtur ata në kushte të përshtatshme: “Është e rëndësishme të qëndrojnë në ambiente të freskëta, të konsumojnë lëngje dhe të monitorojnë vazhdimisht mjekimin,” përfundon Thoma.