Shtetet e Bashkuara kanë ndërmarrë një ndërhyrje ushtarake ndaj kryeqytetit të Venezuelës, Karakasit. Autoritetet vendase kanë raportuar shpërthime dhe fluturime avionësh në lartësi të ulët, jo vetëm mbi kryeqytet, por edhe në zonat përreth tij.
Qeveria venezueliane e ka cilësuar këtë veprim si një “agresion ushtarak” dhe ka shpallur gjendjen e emergjencës në vend. Ndërkohë, mediat ndërkombëtare bëjnë të ditur se sulmet mund të jenë urdhëruar nga presidenti amerikan Donald Trump, megjithatë Uashingtoni ende nuk ka dhënë një konfirmim zyrtar lidhur me këto raportime.
Presidenti i Venezuelës, Nicolás Maduro, ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme në të gjithë vendin, duke bërë thirrje për mobilizim të plotë kombëtar përballë asaj që e cilësoi si kërcënim të jashtëm ndaj sovranitetit të Venezuelës.
Në një deklaratë zyrtare, Maduro akuzoi Shtetet e Bashkuara se qëndrojnë pas sulmeve dhe presioneve ndaj Karakasit, me synimin për të vënë nën kontroll burimet strategjike të vendit, veçanërisht naftën dhe mineralet. Sipas tij, këto veprime synojnë “të rrëmbejnë pasuritë natyrore të Venezuelës dhe të thyejnë me forcë pavarësinë politike të kombit”.
Maduro njoftoi se ka nënshkruar dhe urdhëruar zbatimin e dekretit për shpalljen e “gjendjes së trazirave të jashtme” në të gjithë territorin kombëtar, duke autorizuar aktivizimin e plotë të planeve të mbrojtjes kombëtare, në përputhje me rrethanat e krijuara.
Ai u bëri thirrje të gjitha forcave shoqërore dhe politike në vend që të aktivizojnë planet e mobilizimit dhe të dënojnë, siç e quajti ai, “sulmin imperialist” ndaj Venezuelës, duke theksuar nevojën për unitet dhe gatishmëri të plotë për mbrojtjen e sovranitetit kombëtar.











