Shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë zhvilluan një tjetër fazë të operacionit të koduar “Tracking”, ku në fshatin Zall, Fushë Krujë, u sekuestruan arsenal armësh shpërthyese, armë zjarri, municion dhe 6 kg lëndë narkotike Cannabis Sativa.
Në kuadër të operacionit, u gjetën dhe u sekuestruan 24 kallëpë tritoli, 11 granata dore, 19 mbështjellje C4, 11 kallëpë dinamiti, 3 armë zjarri, 2 silenciatorë, 9000 fishekë, si dhe uniforma policie dhe sende të tjera të kundërligjshme.
Në vijim të hetimeve, u shpall në kërkim shtetasi Ylli Zalla, 49 vjeç, i dyshuar si poseduesi i armëve dhe lëndës narkotike. Materialet iu referuan Prokurorisë së Tiranës, ndërsa policia punon për kapjen e tij dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë.
Njoftimi i policisë:
Krujë/Zhvillohet nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë, një tjetër fazë e operacionit policor të koduar “Tracking”.
Gjenden në fshatin Zall, Fushë Krujë, dhe sekuestrohen arsenal armësh shpërthyese, armësh zjarri dhe municioni luftarak, si dhe lëndë narkotike Cannabis Sativa.
Identifikohet dhe shpallet në kërkim poseduesi i tyre.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë, në vijim të punës për evidentimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale, kanë siguruar informacion për një ambient ku mbaheshin armë zjarri. Gjatë kontrollit të territorit, në fshatin Zall, Fushë Krujë, afër banesës së shtetasit Y. Z., u gjetën në tokë dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale:
-24 kallëpë tritoli, 11 granata dore sulmuese, sasi lëndësh plasëse gati për shpërthim, të montuara me kapsolla detonatore, fitila zjarrpërcjellës, 5 ndezës granatash, 74 kapsolla detonatore, 19 mbështjellje sferike C4, 11 kallëpë dinamiti;
-27 djegore;
-3 armë zjarri, krehra dhe pjesë armësh;
-2 silenciatorë, 9000 fishekë të kalibrave të ndryshëm;
-6 kg lëndë e dyshuar narkotike Cannabis Sativa;
-uniforma policie dhe sende të tjera të kundërligjshme.
Në vijim të veprimeve procedurale për rastin, u shpall në kërkim shtetasi Y. Z., 49 vjeç, i cili nga hetimet e para dyshohet se është poseduesi i tyre.
Punohet intensivisht për lokalizimin dhe kapjen e këtij shtetasi.
Ndërkohë, në drejtimin e Prokurorisë, vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale dhe identifkimin e shtetasve të tjerë që mund të jenë të përfshirë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.











