Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu publikoi një video në X pasi teoritë konspirative në mediat sociale që pretendonin se ai ishte vrarë në një sulm iranian kishin arritur kulmin. Në pamje, Netanyahu shihet duke porositur një kafe në një lokal dhe duke bërë shaka me thashethemet.
“Jam i vdekur… për kafe” – tha ai, duke përdorur një frazë hebraike që përkthehet përafërsisht si “të duash diçka deri në vdekje”. “E dini çfarë? Po “vdes” për popullin tim. Mënyra se si po sillen është fantastike”, shtoi ai.
Gjatë videos, Netanyahu gjithashtu ngre të dyja duart dhe i tregon gishtat kamerës. Më parë, disa postime në mediat sociale kishin sugjeruar se pamjet nga konferenca e tij për shtyp të së enjtes e tregonin atë me 6 gishta në njërën dorë dhe që ngritën dyshime se ishin gjeneruar duke përdorur inteligjencën artificiale.
“Doni të numëroni gishtat e mi? Mund t’i shihni këtu… dhe këtu. E shihni? Shumë bukur”, tha Netanyahu.
Në mesazhin drejtuar qytetarëve izraelitë, Netanyahu tha: “Dilni dhe merrni pak ajër të pastër, por qëndroni pranë një hapësire të mbrojtur. Rezistenca juaj është e mahnitshme. Më jep forcë mua, qeverisë, IDF-së dhe Mossadit. Po bëjmë gjëra që unë nuk mundem… në këtë moment, por po e godasim shumë fort Iranin, edhe sot. Po më thoni të vazhdoj? Unë ju them të gjithëve. Vazhdoni edhe ju.”
Më parë gjatë së dielës, Irani u zotua të “ndjekë dhe të vrasë” kryeministrin Benjamin Netanyahu.
“Nëse ky kriminel që vret fëmijë është gjallë, ne do të vazhdojmë ta ndjekim dhe vrasim me forcë të plotë”, – tha Garda Revolucionare e Iranit në një deklaratë











