Biznesmeni Sokol Meqemeja, i njohur dhe si “biznesmeni i salçiçeve”, i cili ishte shpallur në kërkim disa ditë më parë nën dyshimet për ndërtim pa leje të një Termocentrali (TEC), është vetëdorëzuar në polici dhe më pas është liruar, pasi verifikimet në terren rrëzuan plotësisht akuzat ndaj tij.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, inspektimet e kryera në zonën ku po zhvillohej ndërtimi treguan se objekti nuk ishte një TEC, siç dyshohej fillimisht, por një impiant pastrimi gazi pjesë integrale e procesit të nxjerrjes dhe filtrimit të gazit natyror në pusin aktiv të kompanisë.
Gjatë dëshmisë së dhënë në komisariat, Meqemeja u shpreh se bëhej fjalë për një “keqkuptim të ushqyer nga informacione dashakeqe”, duke sqaruar se:
“Impianti është pjesë integrale e procesit të filtrimit të gazit dhe nuk ka asnjë lidhje me prodhimin e energjisë.”
Ai shtoi se ndërtimi është kryer në përputhje të plotë me legjislacionin dhe me dijeninë e autoriteteve përkatëse, përfshirë dokumentacionin teknik dhe mjedisor.
Meqemeja akuzoi gjithashtu persona të caktuar për përhapjen e informacioneve të rreme me qëllim dëmtimin e imazhit të tij dhe krijimin e një “furtune mediatike pa baza reale”.