Miklovan Danaj, 30-vjeçari shqiptar nga Guri i Zi, Shkodër, i cili ishte shpallur i zhdukur që prej majit 2025, është gjetur i vdekur në Marbella, Spanjë. Zhdukja e tij kishte shqetësuar familjarët, të cilët kishin nisur kërkime në Shqipëri, Spanjë dhe Itali, ku Miklovani kishte jetuar për disa vite.
I riu, i njohur edhe si “Keli”, dyshohet se ishte përfshirë në trafikun e kokainës në Evropë. Pak kohë më parë, familjarët morën një mesazh shqetësues nga një person i panjohur, i cili paralajmëronte se Miklovani ishte vrarë dhe se nuk duhej të kërkohej.
Miklovani kishte krijuar lidhje të forta në trafikun e drogës, duke u zhvendosur nga Pisa, Itali, në Marbella, Spanjë, ku menaxhonte dërgesa të kokainës nga Kolumbia drejt Evropës. Ai jetonte atje me bashkëshorten dhe vajzën e tij 8-muajshe.
Autoritetet spanjolle kanë nisur hetimet për zhdukjen dhe vdekjen e tij, por deri tani nuk ka pasur arrestime dhe nuk janë dhënë detaje mbi rrethanat konkrete të vrasjes. Burime pranë tij thonë se konflikte me bashkëpunëtorë ose grupe të tjera kriminale mund të kenë qenë shkak i tragjedisë.