Një ngjarje e rëndë dyshohet të ketë ndodhur në qytetin e Vlorës, ku katër persona janë shoqëruar mbrëmjen e së enjtes nga policia, pas informacioneve se po mbanin peng një shtetas kosovar.
Sipas të dhënave paraprake, personi i marrë peng dyshohet se ishte mbajtur për rreth dy javë në një banesë pranë zonës së Rrugës së Re. Burime nga policia bëjnë me dije se katër të dyshuarit janë banorë të fshatrave të Lumit të Vlorës dhe se i kanë kërkuar shtetasit kosovar një shumë prej 70 mijë eurosh.
Mësohet se motra e personit të penguar, e cila jeton në Suedi, ka informuar autoritetet shqiptare për situatën, çka ka çuar në lokalizimin e banesës dhe shoqërimin e katër personave të dyshuar.
Nga hetimet e deritanishme dyshohet gjithashtu se shtetasi kosovar mund të ketë qenë edhe i dhunuar gjatë periudhës që mbahej kundër dëshirës së tij.
Policia e Vlorës ka nisur procedurat për sqarimin e plotë të rrethanave dhe verifikimin e të gjitha dyshimeve.









