Të tjera detaje tronditëse janë zbuluar nga vdekja e ish-efektivit Artjol Xhelo, i cili u gjet i djegur ditën e sotme, brenda një makine në Qafën e Llogarasë.
Burime për mediat bëjnë me dije se Xhelo ishte efektiv i Forcave Operacionale “Shqiponjat” dhe në vitin 2023, kishte shfaqur disa probleme psikologjike dhe ishte transferuar në Postën e Policisë Poliçan.
Aty raportohet se Xhelos i humbi arma e shërbimit dhe DVP Berat i dha një masë disiplinore dhe e përjashtoi nga radhët e Policisë së Shtetit.
Sipas burimeve, ish-efektivi kishte probleme të theksuara të depresionit dhe psikologjike.
Ai u gjet i djegur brenda makinës së tij, tip BMW, rreth orës 14:35 të ditës së sotme. Rasti është ende nën hetim nga policia, ndërkohë paraprakisht dyshohet se 32-vjeçari dogji veten me benzinë brenda mjetit.
Shkak dyshohet të ketë qënë fakti se nuk kishte mundur të gjente një punë dhe në bisedën e fundit me familjarët ai kishte thënë se nuk do të kthehej në shtëpi nëse nuk do të gjente punë sot.










