Ditën e sotme (13 tetor) pritet ekstradimi nga Dubai në Shqipëri i shtetasit, Amar alias Dritan Shkëmbi, i arrestuar për atentatin ndaj ish prokurorit Arjan Ndoji.
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, në vitin 2022, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”.
Amar alias Dritan Shkëmbi akuzohet për veprat penale “Vrasja e funksionarëve publikë”, mbetur në tentativë, “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje” dhe “Vjedhja”, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.
Njoftimi:
Në vijim të bashkëpunimit të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë, me qëllim lokalizimin, arrestimin dhe ekstradimin e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar, ditën e sotme, pritet të ekstradohet nga Dubai, Emiratet e Bashkuara Arabe, në Shqipëri, shtetasi Amar Shkëmbi alias Dritan Shkembi.
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, në vitin 2022, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja e funksionarëve publikë”, mbetur në tentativë, “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje” dhe “Vjedhja”, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.
Pas mbërritjes së këtij shtetasi do të ketë një njoftim të plotë për median.
ARRESTIMI NË DUBAI NË 2023
Policia e Shtetit bëri me dije ne shkurt 2023 se Amar (Dritan) Shkëmbi, anëtar i një grupi të strukturuar kriminal, është arrestuar në Dubai. Operacioni për arrestimin e tij u krye nga Policia e Shtetit, SPAK-u dhe Interpol Abu Dhabi, në koordinim nga Qendra e Interpolit në Lyon të Francës. Bëhet me dije se GJKKO i ka caktuar këtij shtetasi masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja e funksionarëve publikë”, mbetur në tentativë, “Vrasja në rrethana cilësuese”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve luftarake dhe i municionit, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal”.
Në vitin 2019, në autostradën Durrës-Tiranë, pranë mbikalimit të Shkozetit, është tentuar të vritet me armë zjarri shtetasi Arjan Ndoj, me detyrë prokuror i Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, i cili qarkullonte me automjet, së bashku me 2 shtetas të tjerë. Si pasojë e të shtënave është plagosur rëndë dhe ka ndërruar jetë në spital shtetasi Andi Maloku, (shoferi i prokurorit) dhe ka mbetur i plagosur prokurori. Kështu tha policia dje, duke shtuar se arrestimi i këtij shtetasi është bërë me qëllim ekstradimin e tij në drejtim të vendit tonë. Ndonëse Dubai është kthyer në “parajsën” që strehon shqiptarët me rekorde kriminale, ende nuk bëhet me dije se si mund të realizohet ekstradimi i këtij të shumëkërkuari, emri i të cilit në fakt është i njohur prej shumë vitesh në vendin tonë.
ORGANIZATA KRIMINALE
39-vjeçari u shpall në kërkim me urdhër të SPAK dhe vendim të Gjykatës, në janar të këtij viti ku u arrestua për të njëjtën dosje edhe Genti Ndërjaku alias Kili Ndërjaku, Bashkim Haxhia, Marsel Deçka, Endrit Sinani, dhe Juljan Pjetri. Ndërkohë, Plarent Dervishaj, Ramazan Rraja dhe Julian Meçe janë shpallur në kërkim si organizatorë të atentatit. Në këtë ngjarje mbetën të plagosur edhe miku i tij Aleksandër Laho i njohur si “Rrumi” si dhe humbi jetën në spital, shoferi i prokurorit Ndoj, Andi Maloku. Pista kryesore e hetimeve është se objektiv i atentatit, ishte Aleksandër Laho, ndaj të cilit personat e dyshuar po organizonte një sulm të dytë. Ky fakt ka dalë nga përgjimet e kryera prej SPAK që firmosi më pas edhe urdhër-arrestet ndaj tyre. Sipas prokurorisë, e gjithë përplasja mes dy grupeve ka ardhur si pasojë e konflikteve për pronat në bregdet.










