Sot, 133 kardinalë u mbyllën në konklavë në Kapelën Sistine, ku zhvilluan votimin e parë të fshehtë për zgjedhjen e Papës së 267-të të Kishës Katolike Romake. Megjithatë, votimi nuk prodhoi një emër fitues.
Nga oxhaku i Kapelës Sistine doli tym i zi, një shenjë që tregon se kardinalët nuk kanë arritur ende një marrëveshje për zgjedhjen e Papës së ri. Nëse do të ishte tym i bardhë, kjo do të nënkuptonte se Papa i ri është zgjedhur, pas ndarjes nga jeta të Papa Françeskut.
Qindra besimtarë ishin mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit, me shpresën për të parë tym të bardhë që sinjalizon përfundimin e procesit zgjedhor. Për të zgjedhur një Papë, kandidati duhet të marrë dy të tretat e votave të kardinalëve.
Ende nuk është e qartë se kur do të zgjidhet Papa i ri. Nga përvoja e mëparshme, konklavat zakonisht zgjasin nga dy deri në tre ditë, por gjithçka varet nga shpejtësia me të cilën arrihet konsensusi.
Nga 133 kardinalët me të drejtë vote, 53 janë europianë, megjithatë besohet se janë të përçarë. Kardinalët aziatikë, ndonëse më të bashkuar, janë vetëm 23. Rreth 20 kardinalë konservatorë nuk kanë votat e mjaftueshme për të zgjedhur vetë një Papë, por mund të luajnë një rol të rëndësishëm në drejtimin e mbështetjes.