Kryeministri Edi Rama ka reaguar lidhur me protestën e Partisë Demokratike të mbajtur një ditë më parë, më 24 janar, e cila u shoqërua me akte dhune, hedhje molotovësh dhe përplasje me forcat e rendit.
Në një reagim të ashpër, Rama e cilësoi protestën si një akt të organizuar dhune, duke e krahasuar me skenarë ekstremistë të njohur në historinë europiane. Sipas tij, ndonëse në Europë ka protesta të grupeve të ndryshme — anarkistë, ekologjistë, studentë apo ekstremistë — ekziston vetëm një parti parlamentare që, sipas Ramës, e ka dhunën pjesë të pandarë të aktivitetit të saj që nga lindja.
Ai akuzoi drejtuesit e opozitës për mobilizimin e grupeve paramilitare dhe individëve të maskuar, të rekrutuar për të ushtruar dhunë, për të sulmuar institucione shtetërore dhe për të dëmtuar prona publike e private, duke plagosur punonjës policie.
“Këto lloj protestash, me pisllëkun që krijojnë në bulevard, ngjajnë si jashtëderdhja në rrugë e plakut të lajthitur që i organizon,” shprehet Rama, duke e cilësuar situatën si një “degjenerim të pandalshëm dhe dëshpërim të pangushëllueshëm”.
Në përfundim, kryeministri ka shprehur solidaritetin e tij me punonjësit e Policisë së Shtetit që u plagosën dhe u lënduan gjatë protestës, duke u uruar atyre shërim të shpejtë.
Reagimi i Edi Ramës
Ka në Europë protestues, anarkistë, ekologjistë, ekstremistë të djathtë a të majtë, studentë, anti-globalistë, tifozë huliganë, grupime lloj-lloj që dalin në rrugë për arsyet e tyre, maskohen, armatosen me molotovë dhe thyejnë e djegin, duke plagosur punonjës policie e shkatërruar prona…
Po qysh nga koha e partive famëkëqia të 100 vjetëve më parë në Gjermani e Itali, ka vetëm një parti parlamentare në Europë, që të ketë në programin e aktivitetit të saj si pjesë të pandarë të ekzistencës së vet qysh nga lindja, ushtrimin e dhunës, shkatërrimin e pronës, sulmin ndaj godinave të institucioneve, deri edhe ndaj godinës së vet, mobilizimin e paramilitarëve, të cilët deri dje ishin çeta e liderit shpirtëror, kurse tanimë janë thjesht mercenarë të rekrutuar me lekë nga rrugaçët e lagjeve, që veshin maska apo fshehin fytyrën pas tabelave për të mbaruar punë me hedhjen e molotovëve pa u identifikuar nga kamerat!
Tanimë këto farë protestash me pisllëkun që krijojnë në bulevard, ngjajnë si jashtëderdhja në rrugë e plakut të lajthitur që i organizon… Degjenerim i pandalshëm dhe dëshpërim i pangushëllueshëm!
Të shkuara punonjësve të policisë që u plagosën e lënduan nga kjo lukuni e verbër










