Presidenti Donald Trump ka zgjeruar një ndalim të udhëtimeve në SHBA, duke bllokuar në mënyrë të plotë hyrjen për qytetarët e pesë vendeve të reja dhe për ata që udhëtojnë me dokumente të lëshuara nga Autoriteti Palestinez. Sipas Shtëpisë së Bardhë, këto masa janë marrë “për të mbrojtur sigurinë e Shteteve të Bashkuara” dhe do të hyjnë në fuqi më 1 Janar. Ndalimi i plotë do të zbatohet për individët nga Burkina Faso, Mali, Nigri, Sudani i Jugut dhe Siria, si dhe për mbajtësit e pasaportave të Autoritetit Palestinez.
Administrata gjithashtu ka kaluar Laos dhe Sierra Leone, që më parë kishin pasur ndalim të pjesshëm, në listën e ndalimeve të plota dhe ka vendosur masa të pjesshme për 15 vende të tjera, përfshirë Nigerinë, Tanzaninë dhe Zimbabven. Trump, i cili ka rritur kontrollin mbi imigracionin që nga rikthimi në Shtëpinë e Bardhë në janar, theksoi se zgjerimi i ndalimit të udhëtimeve ishte i nevojshëm për shkak të dështimeve në sistemet e shqyrtimit dhe verifikimit të vendeve të huaja. Zyrtarët përmendën nivele të larta të tejkalimit të vizave, regjistra civilë të pasigurt, korrupsion, aktivitet terrorist dhe mungesë bashkëpunimi në pranimin e qytetarëve të deportuar.
Ky është hera e tretë që Trump zbarton një ndalim të udhëtimeve. Gjatë mandatit të tij të parë, ai prezantoi një urdhër të ngjashëm në vitin 2017, që shkaktoi protesta dhe sfida ligjore brenda dhe jashtë vendit. Politika më vonë u miratua nga Gjykata Supreme e SHBA-së. Shtëpia e Bardhë tha se masat do të mbeten në fuqi derisa vendet e prekura të tregojnë “përmirësime të besueshme” në menaxhimin e identitetit, ndarjen e informacionit dhe bashkëpunimin me autoritetet e imigracionit të SHBA-së.
Ndalimet e plota përfshijnë vende si Afganistani, Sudani i Jugut, Siria dhe shumë të tjera. Ndërsa disa përjashtime vlejnë për rezidentët e përhershëm dhe mbajtësit e vizave ekzistuese, zyrtarët do të ofrojnë gjithashtu lehtësira për raste specifike, kur udhëtimi konsiderohet në interesin kombëtar.









