Administrata e Presidentit amerikan Donald Trump po punon në një plan të hollësishëm për atë që mund të ndodhë në Venezuelë në rast se regjimi i Nicolas Maduros shembet. Sipas CNN, Shtëpia e Bardhë po përgatit mënyra të detajizuara për të vepruar menjëherë pas largimit të Maduros, qoftë përmes një marrëveshjeje të negociuar apo nëpërmjet goditjeve të mundshme që mund të ndërmerren nga SHBA. Këto plane mbahen sekrete brenda Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe udhëhiqen nga Stephen Miller, i cili ka bashkëpunuar ngushtë me Sekretarin e Shtetit Marco Rubio për çështjet që lidhen me Venezuelën.
Në muajt e fundit, SHBA ka zhvendosur një numër të madh trupash dhe një aeroplanmbajtës në Karaibe, duke e justifikuar këtë veprim si një përpjekje për të luftuar trafikun e drogës. Megjithatë, zyrtarët e administratës e shohin këtë si një pjesë të një strategjie më të gjerë për të ushtruar presion mbi Maduros. Edhe pse Trump ka kërcënuar me ndërhyrje ushtarake, disa zyrtarë pranojnë se nuk ka vullnet për një angazhim të madh ushtarak.
Opozita venezuelase, e udhëhequr nga María Corina Machado dhe Edmundo González, ka përgatitur plane tranzicioni të quajtura “100 orë” dhe “100 ditë”, që adresojnë fusha të ndryshme si siguria, ekonomia dhe infrastruktura. SHBA ka njohur zyrtarisht Gonzalez si “presidentin e ligjshëm” të Venezuelës, duke pretenduar se ai fitoi zgjedhjet e vitit të kaluar.
Analistët e sigurisë theksojnë se është thelbësore planifikimi i menjëhershëm, duke u referuar gabimeve të kaluara si ato në Irak. Çdo skenar në Venezuelë është i rrezikshëm, duke përfshirë një vakum pushteti apo kaos të mundshëm. Një çështje kyçe është njohja e një qeverie të re, e cila do të ndikojë në heqjen e sanksioneve dhe ndihmën ndërkombëtare.
Megjithëse administrata amerikane ka bërë përpjekje diplomatike, është skeptike për mundësinë e një marrëveshjeje të negociuar me Maduros, i cili ka shkelur marrëveshje të mëparshme. Në fund, planifikimi sekret i Shtëpisë së Bardhë po vazhdon, ndërsa është e paqartë se kur dhe si do të ndodhi rënia e Maduros dhe roli i SHBA në “ditën pasuese”.








