Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka deklaruar se mund të përdorë tarifat tregtare si mjet presioni ndaj vendeve që nuk pranojnë aneksimin e Groenlandës nga Shtetet e Bashkuara.
Gjatë një eventi për kujdesin shëndetësor në Shtëpinë e Bardhë, Trump e quajti veten “mbreti i tarifave” dhe tha se kjo strategji mund të zbatohet edhe në rastin e Groenlandës, të cilën ai e konsideron të domosdoshme për sigurinë kombëtare amerikane.
“Mund ta bëj për Groenlandën. Mund të vendos tarifa për vendet që nuk pajtohen, sepse na duhet për arsye të sigurisë kombëtare,” u shpreh Trump.
Presidenti amerikan ka shfaqur prej kohësh interes për kontrollin e Groenlandës, një territor gjysmë-autonom i Danimarkës, duke theksuar rëndësinë e saj strategjike. Deklaratat e tij kanë shkaktuar reagime të forta nga Danimarka, autoritetet e Groenlandës, qeveritë evropiane, si edhe nga ligjvënës amerikanë të të dyja partive.
Trump nuk dha detaje mbi nivelin e tarifave apo vendet që mund të preken. Ndërkohë, Gjykata Supreme e SHBA-së pritet të marrë një vendim mbi ligjshmërinë e tarifave që ai ka vendosur në mënyrë të njëanshme në nivel ndërkombëtar.
“Unë jam mbreti i tarifave dhe kam bërë një punë të shkëlqyer,” tha Trump, duke shtuar se shpreson që Gjykata Supreme të vendosë në favor të tij, përndryshe, sipas tij, kjo do të ishte “një turp për vendin”.










