E gjithë bota është ftuar në Bordin e Paqes për Gazën. Kremlini konfirmoi kërkesën e marrë nga presidenti amerikan, Donald Trump, për liderin e Rusisë, Vladimir Putin, për të qenë pjesë e komitetit që do të mbikëqyrë rindërtimin e enklavës palestineze.
Zëdhënësi Dmitry Peskov, duke folur për gazetarët, nënvizoi se Putin e mori ftesën përmes kanaleve diplomatike për t’iu bashkuar Bordit të Paqes. Ai shtoi se Kremlini po e rishikon atë dhe shpreson që të marrë më shumë detaje nga pala amerikane.
Një ftesë të ngjashme e ka marrë edhe presidenti i Bjellorusisë, Aleksandër Lukashenko. Kryeministri britanik, Keir Starmer, shprehu gatshmëri për të marrë pjesë aktivisht në këtë iniciativë.
“Sa i përket Bordit të Paqes, ne mbështesim masat që po diskutohen përreth Lindjes së Mesme, veçanërisht armëpushimi. Ne duhet të bëjmë presion për fazën e dytë. Kemi treguar gatishmërinë tonë për të bërë pjesën që na takon dhe do ta bëjmë një gjë të tillë. Situata në Lindjen e Mesme është e brishtë”, tha Starmer.
Krijimi i Bordit të Paqes, të drejtuar nga vetë Presidenti amerikan, është një hap kryesor në planin e Donald Trump, të mbështetur nga Kombet e Bashkuara, për të çmilitarizuar dhe rindërtuar Gazën, një territori që është shkatërruar nga lufta 2-vjeçare mes Izraelit dhe Hamasit.
E përshkruar nga kreu i Shtëpisë së Bardhë si Bordi më prestigjoz i mundshëm, në të përfshihen emra si ish-kryeministri britanik Tony Blair, Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, dhe emra të tjerë. Pikërisht lista e përzgjedhur nga Trump është kundërshtuar si nga Izraeli, ashtu edhe Palestina. Në një deklaratë, Zyra e Kryeministrit Benjamin Netanjahu, shkruan se lista e publikuar nga Shtetet e Bashkuara nuk ishte e koordinuar me Izraelin dhe bie ndesh me politikën e saj.
Xhihadi Islamik Palestinez lëshoi një deklaratë duke shprehur tronditje për listën e anëtarëve. Ai pretendon se lista përputhet plotësisht me kërkesat e Izraelit dhe i shërben interesave të pushtimit të Gazës nga Izraeli.











