Presidenti amerikan, Donald Trump ka thënë të hënën se marrëveshja për paqe në Gazë është shumë afër dhe se atë tashmë e ka pranuar Izraeli. Ai ka thënë në një konferencë për media me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu në Shtëpinë e Bardhë se është duke punuar për të arritur paqen në gjithë Lindjen e Mesme.
“Kjo mund të jetë njëra prej ditëve më të mrekullueshme në civilizim”, ka thënë ai.
Në pikat hyrëse të planit me 20 pika, thuhet se Rripi i Gazës do të jetë një “zonë e deradikalizuar, e lirë nga terrorizmi dhe që nuk do të përbëjë më kërcënim për fqinjët e saj”.
Gjithashtu, Gaza do t’i nënshtrohet një procesi të thellë rikualifikimi në dobi të popullatës që ka vuajtur mëse mjaftueshëm.
“Ky është një plan që ka gjetur mbështetje të gjerë në rajon, si nga vendet arabe ashtu edhe ato evropiane. E kemi quajtur këtë iniciativë ‘Paqe për Lindjen e Mesme’, dhe jemi shumë pranë një marrëveshjeje që mund t’i japë fund luftës në Gaza”, tha Donald Trump.
Plani përfshin rifillimin e ndihmave humanitare në Gaza në bashkëpunim me Kombet e Bashkuara.
“Me pranimin e kësaj marrëveshjeje, ndihmat do të dërgohen menjëherë në Rripin e Gazës. Sasitë e ndihmave do të jenë të përputhshme me marrëveshjen e 19 janarit 2025, dhe do të përfshijnë rehabilitimin e infrastrukturës (ujësjellës, energji elektrike, kanalizime), spitaleve, furrave të bukës dhe pajisjeve për pastrimin e rrënojave dhe hapjen e rrugëve”, thuhet në dokument.
Sipas planit, shpërndarja e ndihmave do të bëhet pa ndërhyrje nga asnjëra palë, nën mbikëqyrjen e OKB-së, Gjysmëhënës së Kuqe dhe institucioneve të tjera ndërkombëtare neutrale.
Hapja e pikës kufitare në Rafah në të dy drejtimet do të rregullohet sipas mekanizmave të përcaktuara në marrëveshjen e janarit 2025.
Plani garanton se asnjë qytetar nuk do të detyrohet të largohet nga Gaza.
“Askush nuk do të detyrohet të largohet. Ata që dëshirojnë të largohen do të jenë të lirë ta bëjnë këtë, dhe gjithashtu të lirë të kthehen. Qëllimi ynë është t’i inkurajojmë njerëzit të qëndrojnë dhe t’u japim mundësinë të ndërtojnë një Gaza më të mirë”.
Nëse palët pranojnë propozimin e Donald Trump për Gazën, pengjet e mbajtura nga Hamasi do të lirohen brenda 72 orësh, të vdekur ose të gjallë









