Një skandal i madh mbi keqpërdorimin e fondeve bujqësore ka tronditur skenën politike në Greqi, duke çuar në dorëheqjen e tre ministrave të qeverisë.
Ministrat që dhanë dorëheqjen janë Yiannis Kefalogiannis, ministër i Mbrojtjes Civile, Kostas Tsiaras, ministër i Zhvillimit Rural, dhe Dimitris Vartzopoulos, zëvendësministër i Shëndetësisë. Ky zhvillim vjen teksa hetimet po thellohen dhe materialet e reja po i dorëzohen Parlamentit grek.
Burimet qeveritare bëjnë të ditur se një riorganizim i kabinetit pritet të ndodhë gjatë ditës së sotme, ndërsa betimi i anëtarëve të rinj të qeverisë është planifikuar për ditën e nesërme. Në këtë kontekst, pritet gjithashtu largimi i Kostas Skrekas nga posti i sekretarit të Demokracisë së Re.
Hetimi i çështjes lidhet me ngjarje që datojnë në vitin 2021 dhe përfshin akuza të rënda, duke përfshirë nxitje për shpërdorim detyre, mashtrim kompjuterik dhe falsifikim dokumentesh me qëllim përfitimi të paligjshëm.
Dosja e plotë është përgatitur nga Prokuroria Evropiane, e cila ka identifikuar një rrjet të organizuar që dyshohet se ka përfituar në mënyrë të jashtëligjshme nga fondet bujqësore.
Skandali ka goditur edhe reputacionin e kryeministrit Kyriakos Mitsotakis, duke shtuar presionin politik mbi qeverinë e tij.
Megjithatë, hetimi është përballur me vështirësi ligjore në nivel kombëtar. Sipas nenit 86 të Kushtetutës greke, ministrat dhe ish-ministrat kanë mbrojtje të veçantë penale për veprimet e kryera gjatë ushtrimit të detyrës, gjë që shpesh ka lehtësuar shmangien e përgjegjësisë penale për figura të larta politike.
Për këtë arsye, Prokuroria Evropiane ka qenë e detyruar të ndajë hetimin për anëtarët e kabinetit dhe t’i dorëzojë materialet drejtpërdrejt Parlamentit, duke hapur një fazë të re në këtë çështje të ndjeshme.











