Një rast tronditës i keqtrajtimit të kafshëve është regjistruar në Vlorë, ku një qen endacak është qëlluar me disa plumba arme gjahu, duke u përdorur si “tabelë qitjeje” nga persona ende të paidentifikuar.
Sipas të dhënave, kafsha ka qenë vetëm një muajshe kur është qëlluar me plumba në trup, ndërsa aktualisht është tre muajshe dhe vazhdon të përballet me dhimbje të mëdha. Fatmirësisht, ajo ka arritur të mbijetojë dhe është dërguar në spital për të marrë trajtimin e nevojshëm mjekësor.
Rastin e ka denoncuar animalistja vullnetare Entela Guberaj, e cila thekson se shpeshherë persona të papërgjegjshëm ushtrojnë dhunë ndaj kafshëve të rrugës.
Ky rast ka shkaktuar reagime në opinionin publik dhe shërben si një thirrje ndërgjegjësimi për qytetarët që të tregojnë më shumë kujdes dhe humanizëm ndaj kafshëve endacake, veçanërisht qenve.
Ndërkohë, autoritetet pritet të hetojnë ngjarjen dhe të marrin masa ndaj personave përgjegjës për këtë akt të rëndë.











