Një tragjedi ndodhi pranë Machu Picchu, një nga atraksionet më të njohura turistike në Peru, kur një aksident hekurudhor rezultoi në vdekjen e drejtuesit të një treni dhe plagosjen e të paktën 40 pasagjerëve. Dy trena u përplasen në një linjë hekurudhore të vetme që lidh stacionin Ollantaytambo me Aguas Calientes, qyteti më i afërt me Machu Picchu. Incidenti ndodhi ditën e martë dhe për të ndihmuar të lënduarit ishin dërguar 20 ambulanca në vendngjarje, ndërsa ata që kishin nevojë për trajtim mjekësor u transportuan në qytetin e afërt të Kuskos.
Ambasada amerikane në Peru konfirmoi se disa qytetarë të SHBA-së ishin të lënduar, ndërsa Zyra e Jashtme britanike po mbështeste disa shtetas britanikë të involvuar, pa saktësuar gjendjen e tyre. Mediat lokale raportojnë se “qindra” turistë kanë mbetur në vendin e aksidentit duke pritur evakuim, i cili është penguar nga terreni i vështirë përreth. Një zyrtar shëndetësor njoftoi se të paktën 20 nga të lënduarit janë në gjendje serioze.
Kompania PeruRail, e cila operon njërin nga trenat e përfshirë, shprehu keqardhje për incidentin, duke thënë se stafi i saj ofroi menjëherë ndihmën e parë për të lënduarit. Ndërkaq, shkaku i aksidentit ende nuk është bërë i qartë. Ky aksident ka ndodhur në një kontekst të tensioneve ndërmjet ofruesve të transportit për në këtë vend të trashëgimisë botërore të UNESCO-s, ku komunitetet lokale shprehin pakënaqësi për një proces të hapur të tenderimit.
Machu Picchu, qyteti inkash që daton nga shekulli XV, është një nga Shtatë Mrekullitë Moderne të Botës. Vizitorët zakonisht përdorin trena dhe autobuza për të arritur në këtë vend ose mund të bëjnë një shëtitje nëpër rrugën Inka me një operator turistik të regjistruar. Në vitin 2011, zyrtarët vendosën një kufizim ditor për vizitorët për të mbrojtur vendin, por shqetësimet rreth turizmit të tepruar vazhdojnë të mbeten.







