Rritja e çmimeve ka sjellë uljen e fuqisë blerëse në tregun e Lezhës. Qytetarët thonë se nuk po ia dalin me të ardhurat që kanë, ndërsa tregtarët kanë vënë në pikëpyetje mbijetesën. Sipas tyre, shpeshherë nuk mbulojnë as kostot.
Këto janë pamjet e tregut të qytetit të Lezhës në ditët e fundit të dhjetorit. Ndonëse jemi në prag të festave, numri i blerësve mbetet i ulët.
Për tregtarët, situata është e vështirë. Disa prej tyre kanë ndërprerë aktivitetin, ndërsa të tjerë nuk arrijnë të përballojnë as detyrimet bazë.
“S’ka njerëz. Jam duke paguar peëdhjetë mijë lekëshin që duan. Tre ditë para Krishtlindjeve dhe asnjë njeri nuk ke në treg”, tha një tregtare.
Për blerësit në treg, të cilët janë kryesisht të moshuar, çmimet janë të larta në raport me të ardhurat nga pensioni. Madje, as shpërblimi i fundvitit nuk i ndihmon gjatë këtyre festave dhe, si gjithmonë, shpresat i kanë tek fëmijët në emigrim.
“Është shumë shtrenjtë. Çmimet në krahasim me rrogat dhe penisonet janë të larta”, shprehen qytetarët.
Rënia e fuqisë blerëse ka vënë në pikëpyetje mbijetesën e shumë biznese në Lezhë gjatë viteve të fundit, duke i detyruar disa prej tyre dhe të mbyllin aktivitetin dhe të gjejnë mënyra të tjera punësimi/Shqiptarja











