Të paktën tetë persona kanë vdekur pasi një balonë me ajër të nxehtë u rrëzua në Brazil, tha guvernatori i shtetit të Santa Catarina në një deklaratë.
“Informacioni fillestar tregon 22 persona në bord. Deri më tani, kemi konfirmuar tetë të vdekur dhe dy të mbijetuar.”, thuhej në postimin në “X” të Jorginho Melo.
Guvernatori shtoi se ekipet e shpëtimit janë në zonën e Praia Grande, ku ndodhi përplasja, dhe po vazhdojnë të kërkojnë pasagjerët e mbetur. Zona ishte me diell në kohën e përplasjes, ndërsa imazhet e publikuara në mediat sociale tregojnë balonën në flakë.