Policia e Tiranës, pas dy muajsh hetime, ka arrestuar dy të rinj që dyshohet se ishin pjesë e një grupi që trafikonte armë.
Në pranga ranë Donati Jaku, 31 vjeç, banues në Shkodër, dhe Florian Gjeta, 22 vjeç, banues në Domje.

Donati Jaku dhe Florian Gjeta u arrestuan nga efektivët e Komisariatit nr. 4, pasi u kapën me 6 pistoleta, të cilat dyshohet se do t’i shisnin në zonën e Freskut, tek një grup kriminal me bazë në këtë zonë.

Sipas hetimeve, dy të rinjtë kishin dalë fillimisht në disa përgjime të kryera më herët, ndërsa hetimi ka zbardhur më pas të gjithë dinamikën e trafikut të armëve.
Florian Gjeta, nga Domja, dyshohet se prej vitesh merrej me aktivitetin e trafikut të armëve. Ai ka jetuar më parë në Angli, ku dyshohet se mund të ketë ushtruar të njëjtin aktivitet. Në rrjetet sociale ai publikonte shpesh edhe foto me armë në brez.
Hetuesit e Komisariatit nr. 4 dyshojnë se në këtë aktivitet janë të përfshirë edhe persona të tjerë dhe po vijojnë verifikimet për zbardhjen e plotë të rastit.











