Ish-lojtari i Real Madridit analizoi humbjen në finalen e Superkupës ndaj Barçës dhe ishte mjaft kritik me ish-skuadrën e tij.
Toni Kroos është rikthyer edhe në podcastin e tij “Einfach mal luppen”, të cilin e drejton bashkë me vëllain, Felix, pas një pauze dimërore ku nuk publikoi asnjë episod. Gati një muaj pas episodit të fundit, dy vëllezërit publikuan një të ri — i cili doli vetëm pak orë pas largimit të Xabi Alonso-s nga posti i trajnerit të Real Madridit. Në këtë episod, Kroos foli për humbjen ndaj Barcelonës në finalen e Superkupës së Spanjës dhe shfrytëzoi rastin për të theksuar çfarë e bën Realin të cenueshëm. Ja pikat kryesore që preku:
Qasja taktike
“Kur je vazhdimisht duke ndjekur topin, pavarësisht gjendjes fizike, vjen një moment kur bëhet e vështirë të mbulosh gjithçka vetëm me vrap. Nga minuta e 15-të deri në të 45-ën, Real Madridi pothuajse nuk hyri fare në gjysmën e kundërshtarit dhe nuk pati raste për të ndryshuar ritmin e për të nisur sulme vertikale. Dhe në një moment, sidomos kur kundërshtari ka cilësi individuale, hapen boshllëqe që përfundojnë me gola të pësuar.”
Xabi Alonso
“Është për t’u vlerësuar që po përshtatet. Ai e di se nuk do të përfundonte mirë nëse do t’u dilte përballë ‘kokë më kokë’. Prandaj po përpiqet të zgjedhë rrugën me probabilitetin më të lartë për sukses — diçka që i funksionoi në ‘Clásico’-n e kampionatit. Mund të fitosh ndonjëherë kështu, siç ndodhi dje, por shumicën e ndeshjeve do t’i humbësh. Mund të fitosh sepse skuadra ka cilësi individuale. E pamë te goli i Vinícius, por mua më mungojnë aksione më të ndërtuara. Duhet ta bësh Barçën të vrapojë. Ekipet që duan 70% zotërim të topit vuajnë me 30% që mbetet. Barcelona vuan kur s’e ka topin. Dhe çfarë bën? Shtyp fort për ta rimarrë. Kur je i aftë ta mbash topin në mënyrë më të balancuar, shanset për ta mundur Barcelonën rriten shumë. Nëse mbështetesh vetëm te kundërsulmet, mund të kesh sukses me kaq shumë cilësi, por gjasat janë të vogla.”
Vinícius
“Gjërat e mira që ndodhën, ndodhën falë tij: sepse krijoi hapësira ose sepse i zgjidhi vetë situatat. Por ai nisi në qendër të sulmit, ku edhe e bën një rol, por nëse do ta kesh vendimtar, e do në të majtë. Nuk e di nëse ishte vendimi i tij të rrinte te vija anësore pas golit apo jo (qesh), por i gjithë rreziku vinte prej andej.”
Real Madridi
“Më duket se atyre u duhet një lloj ‘kaosi’ në fushë për të fituar ndeshje të tilla. Jo diçka e planifikuar, e kontrolluar, e ndërtuar, por një lojë ‘vajtje-ardhje’, ku ndodhin gjëra të çmendura. Aty dalin në pah pikat e tyre të forta. Por pastaj ndodhin gjëra si goli 1-0 i Barçës, që s’duhet të ndodhin. Pse? Sepse sapo ke ardhur nga 30-35 minuta mbrojtje e mirë. Xabi tha edhe në konferencë se e ndiente ndeshjen ‘nën kontroll’. Pa top, por nën kontroll. Dhe papritur, Raphinha ka një rast të pastër dhe e humb. Aty është momenti të marrësh frymë, ta ngadalësosh lojën dhe të luash me siguri. Ideja është t’ia prishësh ritmin kundërshtarit. Ajo që s’mund t’i ndodhë një skuadre të madhe është që, 30 sekonda më pas, të pësojë gol sepse jep sërish hapësira ose humb sërish topin. Në ato momente, sulmuesit duhet ta mbajnë topin dhe të mos marrin rreziqe, për të mos krijuar humbje të tjera. Kam përshtypjen se mungon një ‘ndjenjë e lojës’: çfarë kërkon çdo situatë.”
Barcelona
“Qëndroj te mendimi që kam nga viti i kaluar: nuk besoj se do të fitojnë një titull ndërkombëtar duke luajtur kështu.”











