Në maj të vitit 2012, ish-Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Europës, Thorbjond Jagland, zhvilloi një vizitë zyrtare dyditore në Tiranë, ku u prit nga drejtuesit më të lartë të shtetit shqiptar. Gjatë qëndrimit të tij, ai zhvilloi takime me Presidentin e asaj kohe, Bamir Topi, kryeministrin Sali Berisha, kryetaren e Kuvendit Jozefina Topalli dhe ministrin e Jashtëm Edmond Haxhinasto.
Vizita e Jagland u zhvillua në një periudhë të tensionuar politike për Shqipërinë, teksa vendi ishte përfshirë në debate të forta mbi zgjedhjen e Presidentit të ri. Mandati i Bamir Topit po përfundonte dhe mazhoranca e drejtuar nga Sali Berisha nuk kishte siguruar ende votat e nevojshme për të zgjedhur kreun e ri të shtetit në raundet e para parlamentare.
Në konferencën për shtyp të mbajtur më 24 maj 2012, ish-kryeministri norvegjez bëri thirrje për dialog dhe përzgjedhjen e një Presidenti konsensual, duke theksuar rëndësinë e stabilitetit institucional për vendin.
Megjithatë, përtej zhvillimeve politike, Jagland duket se mbeti i impresionuar edhe nga përshtypjet personale gjatë qëndrimit në Tiranë. Sipas korrespondencave të publikuara më vonë, ai përmendi në një email se i kishin bërë përshtypje “vajzat e jashtëzakonshme të Tiranës”, një detaj që doli jashtë kornizës së agjendës zyrtare.
Gjatë takimit me kryeministrin Berisha, Jagland e përgëzoi atë për marrjen e kryesimit të radhës së Komitetit të Ministrave të Këshillit të Europës, duke e cilësuar këtë si një moment të rëndësishëm për rolin e Shqipërisë në arenën europiane.










