Tragjedia që ndodhi më 24 gusht në Fier vijon të prekë zemrat e shumë shqiptarëve. 35-vjeçari Kreshnik Tomani humbi jetën pas 10 ditësh luftë në spital, pasi u përplas nga një automjet “Land Rover” që drejtohej pa patentë nga 17-vjeçari Orges Bendo pranë Shkollës së Muzikës në lagjen “Liri Gero”.
Pavarësisht ndërhyrjeve mjekësore, plagët e marra rezultuan fatale, duke lënë pas bashkëshorten dhe tre fëmijët e mitur.
Dita e parë e shkollës për vajzat e tij, Nikita dhe Fjonisa, ishte mes dhimbjes dhe mungesës së babait që kishte ëndërruar t’i shoqëronte në rrugën e dijes.
Me zemër të rënduar, nëna Kristina i shoqëroi vajzat drejt shkollës artistike “Jakov Xoxa”, duke mbajtur në krah foshnjën 9-muajshe, tashmë të gjithë pa mbrojtjen e kryefamiljarit që siguronte të ardhurat.
Familja jeton me qira dhe me humbjen e Kreshnikut rrezikon të mbetet pa strehë.
Për këtë arsye, shumë qytetarë kanë kontaktuar redaksinë e JOQ Albania duke bërë thirrje për ndihmë. Në bashkëpunim me fondacionin “Firdeus”, është hapur një fushatë në GoFundMe për të blerë një banesë që t’u sigurojë një strehë të qëndrueshme tre fëmijëve jetimë.
Kushdo që dëshiron të kontribuojë mund të ndihmojë në këtë fushatë, duke u bërë pjesë e një misioni human për t’u kthyer shpresën këtyre fëmijëve. “Kush shpëton një jetë, është sikur ka shpëtuar tërë njerëzimin” (Sure Maide, 32)./joq