Të hënën në mëngjes, Forcat Ajrore Gjermane (Luftwaffe) ngritën dy avionë luftarakë Eurofighter pas një alarmi nga NATO për praninë e një aeroplani spiun rus të tipit IL-20M në hapësirën ajrore ndërkombëtare mbi Detin Balltik.
Sipas njoftimit zyrtar, avionët gjermanë kryen identifikimin vizual të objektivit dhe më pas e shoqëruan deri në dorëzimin e tij tek njësi të NATO-s që operonin nga Suedia.
Në deklaratën e saj, Luftwaffe tha: “Për herë të dytë, forcat tona të reagimit të shpejtë, me dy Eurofighter, u urdhëruan nga NATO të kontrollonin një avion të paidentifikuar, i cili po fluturonte pa plan fluturimi dhe pa komunikim radio në hapësirën ajrore ndërkombëtare.”
Pas përfundimit të misionit, Eurofighter-at u kthyen në bazën ajrore Rostock-Laage në Gjermani.
Ndërkohë, tensionet janë shtuar edhe më tej: Këshilli i Atlantikut të Veriut pritet të mblidhet të martën për të diskutuar mbi shkeljen e hapësirës ajrore të Estonisë nga tre avionë luftarakë rusë MiG-31, të cilët, sipas burimeve të Reuters, fluturuan pa leje në territorin estonez për rreth 12 minuta të premten, para se të largoheshin me ndërhyrjen e forcave të NATO-s.
Kjo ngjarje vjen në një kohë tensionesh të larta midis Rusisë dhe aleancës perëndimore, me rritje të vigjilencës në kufijtë lindorë të NATO-s.