Nga skyweb.al
Një tender i fundit i Albpetrol për riparimin e një pusi nafte në zonën Cakran-Mollaj ka nxjerrë sërish në pah mënyrën skandaloze se si janë keqmenaxhuar dhe zhvatur prej dekadash pasuritë kombëtare të nëntokës në Shqipëri, shkruan skyweb.al.
Albpetrol shpalli tenderin për ndërhyrje në pusin CA-58, duke ofruar rreth 34.5 milionë lekë pa TVSH për riparimin e avarisë së rëndë të shkaktuar nga kompania koncensionare Stream Oil.
Pasi tenderi u shpall, kompania SuperStar-WB, në pronësi të Neshat dhe Bardhi Melit, paraqiti ankesë për probleme me dokumentacionin duke bërë që tenderi të anulohej. Bardhi Meli, ish-nëndrejtor i AKBN-së, është kapur më herët nga BIRN në konflikt të pastër interesi, duke bërë biznes me kompaninë Phoenix Petroleum ndërkohë që mbikëqyrte vetë aktivitetin e saj.
Sipas të dhënave të vetë Albpetrol, pusi CA-58 ishte funksional në momentin që iu dorëzua me kontratë koncensionare kompanisë Stream Oil.

Por në gusht të vitit 2014, Stream Oil e dorëzoi pasurinë me një defekt të rëndë në pus, bllokim i komunikimit midis shtresës dhe pusit për shkak të ngecjes së një pajisjeje (Packer) në thellësinë 2,458.8 metra.
Që prej asaj kohe, nga ky pus nuk ka dalë më asnjë litër nafte.
Si e shkatërroi Stream Oil pusin CA-58
Stream Oil erdhi në Shqipëri në vitet 2007-2008, kur qeveria shqiptare shpalli koncensione për disa prej vendburimeve të vogla dhe të mesme të naftës. Shoqëria, e kontrolluar fillimisht nga biznesmenë kanadezë e amerikanë dhe më pas e regjistruar në parajsat fiskale, mori në administrim disa vendburime, përfshirë atë të Cakran-Mollaj.
Por shumë shpejt, përveç mungesës së investimeve serioze në teknologji dhe mirëmbajtje, Stream Oil akumuloi borxhe të mëdha ndaj shtetit shqiptar dhe ndaj furnitorëve vendas.

Në vitin 2014, kompania e braktisi aktivitetin në Shqipëri duke lënë pas pasuri të dëmtuara dhe detyrime të papaguara. Albpetrol, edhe pse në rolin e monitoruesit, nuk ndërmori asnjë masë në kohë për të parandaluar dëmet.
Edhe përpjekjet e mëvonshme për të riparuar pusin dështuan për shkak të kompleksitetit të dëmit dhe kushteve të vështira nëntokësore.
Aktualisht, për të nxjerrë pusin CA-58 sërish në shfrytëzim, kërkohet një ndërhyrje tepër e sofistikuar, që po i faturohet sërish taksapaguesve shqiptarë.
Sipas Albpetrol, nëse avaria do të riparohej me sukses, pusi mund të prodhonte rreth 8 tonë naftë në ditë, me një cilësi më të lartë për shkak të qëndrimit të gjatë në gjendje të palëvizur.
Si u zhvat dhe u shit për skrap pasuria ARMO-s: Nga duart e shtetit te biznesmenët e parqeve diellore
Historia e pusetit CA-58 është vetëm një pjesë e së njëjtës skemë zhvatjeje të pasurive të Shqipërisë. Një tjetër rast flagrant është ai i ish-uzinës së përpunimit të naftës, ARMO.
Pas privatizimeve të dështuara dhe kalimeve të njëpasnjëshme, ARMO përfundoi fillimisht në duart e investitorëve shqiptarë, më pas të kinezëve, dhe në fund u sekuestrua nga banka Credins për shkak të mosshlyerjes së detyrimeve të kredisë.

Në vitin 2022, kompania Shijaku, pasi kishte përvetësuar asetet kryesore të ARMO-s, nisi çmontimin e uzinës dhe shitjen e saj për skrap. Pas çmontimit, Shijaku krijoi kompaninë GreeNNat, të cilës i transferoi tokën ku dikur ngrihej rafineria e Ballshit.
Në janar 2023, qeveria shqiptare miratoi ndërtimin e një parku fotovoltaik nga GreeNNat në ish-territorin e ARMO-s, pa asnjë procedurë gare dhe me të drejtën që kjo leje të transferohej tek një subjekt i tretë.
Pavarësisht që investimi nuk përfitonte nga mbështetje shtetërore, shteti vetë do të merrte vetëm 2% të energjisë së prodhuar.
Në vend që të ndërtonte vetë parkun, Shijaku vendosi të shiste GreeNNat bashkë me licencën për 1.95 milionë euro. Blerës ishin dy biznesmenët Marin Gjonaj dhe Agron Haxhiymeri, përmes kompanisë së re Infotelecom-Albsolar 3.
Sot, ndërkohë që panelet diellore vendosen mbi tokën e ARMO-s (Skyweb.al mëson se janë vendosur 75 Mega, priten edhe 25 Mega) , e zhvatur dhe abuzuar për vite nga politika dhe bizneset, pasuria kombëtare që dikur mbante ekonominë e vendit, është kthyer në një tjetër histori të trishtë të falimentimit të qëllimshëm dhe të shpërndarjes së pasurive në pak duar.