Forcat izraelite kanë vrarë të paktën 13 njerëz, përfshirë gra dhe fëmijë, në sulmin më të rëndë në Siri që nga pushtimi i pjesës jugore të vendit një vit më parë. Sipas zyrtarëve sirianë dhe agjencisë shtetërore të lajmeve SANA, forcat izraelite kanë sulmuar fshatin Beit Jin me qëllim të arrestimit të burrave lokalë, por kanë hapur zjarr kur u janë përgjigjur banorët. Ky sulm ka shkaktuar edhe ikjen e dhjetëra familjeve. Ministria e Jashtme e Sirisë e përshkroi sulmin si një “masakër të tmerrshme”.
Izraeli pretendoi se kishte realizuar një operacion në Beit Jin për të kapur anëtarët e grupit militant Jamaa Islamiya, që ishin duke planifikuar sulme me IED dhe raketat në Izrael. Sipas Izraelit, disa militantë kanë hapur zjarr ndaj trupave, duke lënduar gjashtë ushtarë, dhe forcat izraelite u janë përgjigjur me zjarr, duke u mbështetur nga avionët. Ata deklaruan se operacioni përfundoi me kapjen e të gjitha të dyshuarve dhe me vrasjen e disa militantëve.
Zyrtari lokal, Walid Okasha, tha për AP-në se ata që u vranë ishin civilë, përfshirë një çift dhe dy fëmijët e tyre, si dhe xhaxhain e fëmijëve dhe një burrë tjetër që ishte martuar ditën e mëparshme. Banori Firas Daher sqaroi se trupat hynë rreth orës 3 të mëngjesit dhe hasën në “rezistencë të lehtë”. Ai tha se forcat izraelite reaguan me dronë, helikopterë dhe zjarr të rëndë.
Që nga rënia e ish-presidentit sirian Bashar Assad në dhjetor 2024, forcat izraelite kanë kontrolluar një zonë në jug të Sirisë që dikur ishte pjesë e një zone buffer të monitoruar nga OKB-ja. Izraeli ka kryer operacione të rregullta në qytete dhe fshatra brenda dhe përtej kësaj zone dhe ka kryer qindra sulme ajrore mbi vendet ushtarake siriane.
Tensionet janë rritur edhe më tej me një sulm të fundit izraelit në Beirut që vrau një zyrtar të lartë të Hezbollahut. Një raport i Kombeve të Bashkuara njoftoi se Izraeli ka vrarë të paktën 127 civilë, përfshirë fëmijë, në sulmet e tij ndaj Libanit që nga armëpushimi i një viti më parë. Qeveria siriane kërkoi veprime urgjente nga bashkësia ndërkombëtare për të ndalur operacionet izraelite.











