Policia italiane ka vënë në pranga dy shtetas shqiptarë, babë e bir, të moshave 60 dhe 32 vjeç, të cilët rezultojnë të dënuar më parë për vepra penale që lidhen me trafikimin e lëndëve narkotike.
Sipas mediave italiane, të dy ishin shpallur fajtorë nga autoritetet e drejtësisë për aktivitet në fushën e shpërndarjes së drogës dhe vepra të tjera të ndërlidhura me të njëjtin aktivitet kriminal.
Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tyre, efektivët sekuestruan mbi 50 mijë euro para në dorë, të dyshuara si të përfituara nga veprimtaria e paligjshme. Në ambientet e banesës u gjetën gjithashtu rreth 20 gramë kokainë, si dhe materiale që shërbenin për paketimin e saj.
Në kuadër të të njëjtit operacion, policia arrestoi edhe një 19-vjeçar italian, të cilit iu sekuestruan 3,400 euro cash. Hetimet vijojnë për të dokumentuar plotësisht rrjetin e përfshirë dhe përgjegjësitë përkatëse të secilit prej të arrestuarve.











