Këtë të enjte është zhvilluar një takim mes disa prej kandidatëve më të votuar të Partisë Demokratike ka vënë në qendër të diskutimit mënyrën se si është drejtuar partia pas zgjedhjeve të 11 majit dhe mungesën e komunikimit me strukturat.
Në mbledhje morën pjesë anëtari i Kryesisë Ervin Salianji, kandidati i Tiranës Ilir Alimehmeti, si dhe emra të listave të hapura si Aulon Kalaja, Tedi Kopliku, Xhemal Gjuknshi, Hysen Kadiu dhe të tjerë. Qëllimi i takimit ishte të analizonin problematikat në organizimin e PD-së dhe të kërkonin një qasje më funksionale për të ardhmen.
I ftuar në Top Story, Alimehmeti tregoi se diskutimet ishin të hapura dhe përqendroheshin te boshllëqet në komunikim pas zgjedhjeve.
“Ishte një tryezë mes demokratësh, për të kuptuar problemet tona ku janë dhe të shtyjmë kauzat tona më tej.
PD do duhet të forcohet dhe për këtë duhet të kuptojë ku ka gabime, që të shmanget nga modele që kanë treguar që nuk kanë funksionuar. Me të gjithë kandidatët që flasim në qarqe, na thanë që nuk jemi kontaktuar më, janë lënë në harresë. Nuk mendoj se kjo është rruga e duhur.
Ajo që kuptuam, më e vështirë ka qenë për të kuptuar si janë qarqet e tjera, por kuptuam që kanë qenë të njëjtat problematika në çdo qark. Kandidatët do duhej të ishin thirr nga Kryesia, apo Këshilli Kombëtar, për t’u dëgjuar dhe ana e tyre”, tha ai.











