Takimi i parë në kuadër të negociatave të paralajmëruara mes Izraelit dhe Libanit pritet të mbahet të martën në Departamentin Amerikan të Shtetit. Lajmi raportohet nga Times of Israel, duke cituar një zyrtar amerikan në dijeni të zhvillimeve.
Sipas burimit, në takim do të marrin pjesë ambasadorja e Libanit në Uashington, Nada Hamadeh-Moawad, ambasadori i Izraelit në SHBA, Yechiel Leiter, si dhe ambasadori amerikan në Bejrut, Michel Issa. Ata do të drejtojnë përkatësisht delegacionet e tre vendeve.
Po sipas zyrtarit, gjatë ditës së sotme pritet të zhvillohet një takim përgatitor virtual mes tre diplomatëve dhe këshilltarit të Departamentit të Shtetit, Mike Needham.
Ndërkohë, zyra e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu nuk e ka konfirmuar menjëherë zhvillimin e këtij takimi. Mbrëmjen e djeshme, Netanyahu deklaroi se Izraeli do të nisë negociatat me Libanin “sa më shpejt të jetë e mundur”, me synimin për çarmatimin e Hezbollahut dhe arritjen e një marrëveshjeje të plotë paqeje mes dy vendeve.











