Trajneri i Kombëtares shqiptare, Sylvinho, vizitoi Elite Youth Academy dhe ndau eksperiencat e tij si futbollist dhe trajner me lojtarët e rinj. Ai filloi rrëfimin e tij duke përmendur momentet e para të karrierës së tij dhe aventurat në stolin e kombëtares.
Gjatë fjalës së tij, Sylvinho theksoi rëndësinë e menaxhimit të emocioneve në futboll. Ai ndau vështirësitë e përjetuara gjatë kohëve kur nuk luante mirë ose fare, duke shprehur frustrimin e brendshëm që sjellin këto situata. Ai kujtoi një episod nga rinia e tij, kur, në moshën 15-16 vjeçare, përballeshin me sfida për të luajtur. Ai tha se ka kaluar momente të vështira, duke vajtur natyrshëm përpara se të flinte, por gjithmonë ishte gati për t’u rikthyer në fushë mëngjesin e ardhshëm.
Përveç rrëfimit të tij personal, Sylvinho dha mesazhe motivuese për lojtarët e rinj. Ai nxiti ata të besojnë në vetvete, duke i inkurajuar të shprehin emocionet e tyre, qoftë me qarje apo me buzëqeshje. Ai theksoi rëndësinë e disiplinës dhe stërvitjes, duke shpjeguar se performanca e mirë në ndeshje shpesh është rezultat i përgatitjes së vazhdueshme.
“Ti nuk luan mirë të dielën sepse je stërvitur mirë të shtunën. Ti luan mirë të dielën, sepse je stërvitur 100 ditë njësoj”, tha ai, duke nënvizuar se përgatitja është kyçe për sukses. Ai e përfundoi fjalimin duke kërkuar nga lojtarët t’u qëndrojnë pranë njëri-tjetrit, duke ecur përpara me entuziazëm, pasi bashkëpunimi dhe mbështetje janë të rëndësishme në skuadër.
Me këtë vizitë, Sylvinho dëshmoi angazhimin e tij për zhvillimin e talenteve të reja dhe ndihmën që mund t’u ofrojë në rrugën e tyre drejt suksesit në futboll. Kjo iniciativë është një shenjë e besimit në të ardhmen e futbollit shqiptar dhe një frymëzim për të rinjtë që synojnë të bëhen futbollistë profesionistë.











