Kuvendi i Shqipërisë ka konfirmuar sulmin kibernetik nga hakerat e ‘Homeland Justice’.
Në njoftimin për mediat Kuvendi ben me dije se sulmi ështv regjistruar mbrëmjen e djeshme dhe se një pjesë e të dhënave në disa llogari përdoruesish të administratës është fshirë.
“Në përgjigje të interesimit të medias, Kuvendi i Shqipërisë informon se mbrëmjen e djeshme, rreth orës 21:00, është konstatuar një akses i paautorizuar në infrastrukturën IT të institucionit. Gjatë verifikimeve është vënë re fshirja e një pjese të informacionit në disa llogari përdoruesish të punonjësve të administratës.
Vlerësimi paraprak teknik tregon se mund të bëhet fjalë për një sulm të sofistikuar kibernetik, i cili ka pasur si synim fshirjen e të dhënave dhe cenimin e disa sistemeve të brendshme.
Nga analizat e para rezulton se infrastruktura kryesore e punës nuk është prekur. Faqja zyrtare e Kuvendit të Shqipërisë dhe sistemet e tjera që mbështesin funksionimin e institucionit vijojnë të funksionojnë normalisht.
Pas konstatimit të incidentit janë marrë masa për izolimin e trafikut të dyshimtë dhe për neutralizimin e sulmit. Ndërkohë, ekipet teknike po punojnë për rikuperimin e të dhënave të fshira në llogaritë e përdoruesve” – thuhet ndër të tjera në reagim.
Kjo nuk është hera e parë që hakerët, të cilët operojnë nën emrin “Homeland Justice”, sulmojnë infrastrukturën e Kuvendit të Shqipërisë.
Në dhjetor të vitit të kaluar, faqja online e Kuvendit u hakuar gjithashtu nga ky grup, i cili mori autorësinë e veprimit përmes llogarisë së tyre në Telegram.











