Ditën e sotme fermerë nga e gjithë Shqipëria janë mbledhur në protestë para Ministrisë së Bujqësisë, pas heqjes së naftës nga lista e masave mbështetëse në skemën kombëtare.
Ndërkohë që mësohet se ministri Andis Salla sapo ka mbërritur dhe ka kërkuar të zgjedhin një përfaqësi prej 10 personash për të zhvilluar një takim. Ky takim do të zhvillohet mes tij dhe fermerëve, si edhe i pranishën do të jetë edhe ministri i Financave Petrit Malaj. Në këtë takim do të marrin pjesë fermerë nga Shkodra, Fieri, Lushnja, Gjirokastra e Korça.
Disa nga pankartat e tyre mbajnë thirrje si “Stop importit të qumështit”, “Formalizoni tregun e bulmetit,” “Bojkotoni firmat serbe”.
“Skema nuk na mbështet, kostot janë të larta. Skema 2026 nuk ishte ajo që u diskutua me ne. Të na subvencionohet nafta. Të rritet mbështetja për blegtorinë, të bllokohet importi që na konkurron”, është thirrja e tyre.
Sipas fermerëve, atyre u është premtuar subvencionim më i lartë, por kjo nuk është realizuar madje është hequr edhe nafta pa taksa. Në rast se kërkesat e tyre nuk respektohen, fermerët thonë se reagimi i tyre do të përshkallëzojë.
“Do të dyndemi në rrugët e Tiranës me mjetet e traktorët tanë, bashkë me lopët”, thonë ata.











