Mbrëmja e sotme e Champions League ka sjellë emocione të forta dhe rezultate spektakolare, me gola të shumtë dhe përmbysje interesante.
Arsenal regjistroi një paraqitje të shkëlqyer duke triumfuar 3-1 ndaj Bayern Munich, në një ndeshje me ritëm të lartë të transmetuar në ekranin e Vizion Plus. Londinezët nisën vrullshëm duke krijuar presion të vazhdueshëm, por pa gjetur golin deri në minutën e 22-të, kur Timber përfitoi nga një dalje e gabuar e Manuel Neuer dhe kaloi vendasit në epërsi.
Bayern reagoi shpejt dhe në të 32-tën talenti 17-vjeçar Karl barazoi shifrat, duke konfirmuar rëndësinë e tij në skuadrën bavareze. Pjesa e parë u mbyll 1-1.
Në fraksionin e dytë, Arsenal rriti ndjeshëm ritmin dhe e vuri në vështirësi mbrojtjen gjermane. Neuer, pavarësisht disa ndërhyrjeve të mira, gaboi sërish në minutën e 69-të duke lënë portën bosh pas një vendimi të nxituar për të dalë jashtë zone.
Madueke përfitoi dhe riktheu londinezët në avantazh. Më pas Martinelli vulosi fitoren 3-1, me Neuer që edhe një herë tjetër u bë protagonist negativ.
Arsenal vazhdon i pamposhtur në Evropë dhe kryeson grupin me pikë të plota, ndërsa Bayern regjistron humbjen e parë.
Rezultate të tjera të mbrëmjes:
- PSG 5-3 Tottenham – francezët dominojnë me një rezultat “tenistik”.
- Olympiakos 3-4 Real Madrid – një ndeshje plot gola në Athinë, ku madrilenët dalin fitues.
- Atletico Madrid 2-1 Inter – zikaltërit, ende të tronditur nga humbja në derbi, pësojnë një tjetër disfatë.
- Liverpool 1-4 PSV – “Reds” në krizë të thellë pas një humbjeje të rëndë në “Anfield”.
Pas pesë javësh në Champions League, Arsenal qëndron e vetme në krye të grupit.











